Fshati turistik i Dukatit, i njohur për historinë, traditat dhe mikpritjen e tij, po përballet prej vitesh me problematika të shumta infrastrukturore, të cilat po rëndojnë jetën e banorëve dhe po dëmtojnë zhvillimin e turizmit në zonë.
Shqetësimi kryesor i banorëve mbetet mungesa e ujit të pijshëm, problem që sipas tyre përkeqësohet edhe më shumë gjatë sezonit veror, kur fshati frekuentohet nga turistë dhe emigrantë që kthehen pranë familjeve të tyre.
Sipas banorëve, furnizimi me ujë realizohet vetëm një orë në ditë, ndërsa në disa raste edhe më rrallë, duke e bërë të pamundur përmbushjen e nevojave minimale familjare.
Një tjetër problematikë serioze mbetet furnizimi me energji elektrike. Banorët ankohen për ndërprerje të shpeshta të energjisë, të cilat, sipas tyre, shkaktojnë dëmtime të pajisjeve elektrike dhe vështirësi në përditshmëri, veçanërisht për bizneset që operojnë gjatë sezonit turistik.
Po ashtu, gjendja e infrastrukturës rrugore mbetet shqetësuese. Aksi rrugor që të çon drejt Dukatit paraqitet i amortizuar dhe me dëmtime të shumta, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe duke krijuar një pamje jo dinjitoze për një zonë me potencial të lartë turistik.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për zgjidhjen e këtyre problematikave, duke theksuar se Dukati meriton më shumë investime dhe vëmendje.
© SYRI.net