Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, fushata elektorale në Kosovë po zhvillohet paralelisht me debatet politike, ku një rol gjithnjë e më të dukshëm po marrin edhe sloganet e partive kryesore.
Ato po përdoren si mesazhe të shkurtra, të thjeshta dhe emocionale, me qëllim mobilizimin e elektoratit dhe përmbledhjen e orientimit politik të secilit subjekt në një frazë të vetme.
Lëvizja Vetëvendosje garon në këtë fushatë me sloganin “Krejt për shtet, shtet për krejt”, i cili synon të theksojë idenë e barazisë institucionale dhe prioritetit të shtetit mbi interesat individuale apo partiake.
Partia Demokratike e Kosovës përdor sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”, duke e ndërtuar mesazhin e saj rreth nevojës për stabilitet institucional dhe një ndryshim të gjendjes aktuale politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqitet me sloganin “Bashkohu”, një thirrje e përgjithshme për unitet politik dhe shoqëror, e cila synon të krijojë perceptimin e afrimit dhe bashkimit qytetar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon me sloganin “Siguri, Energji, Zhvillim”, i cili përmbledh tri prioritete programore të fokusuara në stabilitet, furnizim energjetik dhe zhvillim ekonomik.
Në këtë kontekst, sloganet po shërbejnë si elemente kyçe të komunikimit politik, duke u interpretuar si mjete për të kondensuar mesazhe komplekse në forma të shkurtra dhe lehtësisht të kujtueshme për votuesit.
Analisti Pozhari kritikon sloganet e partive: LVV më kreative, LDK me kopjim, PDK me kontradiktë
Analisti politik Xhevdet Pozhari ka komentuar sloganet e partive politike në prag të fushatës zgjedhore, duke vlerësuar se kësaj radhe përmbajtja e debatit politik është më e ashpër sesa vetë sloganet që po përdoren nga subjektet politike.
Sipas Pozharit, sloganet po mbesin në plan të dytë përballë përplasjes politike që po karakterizon këtë fushatë.
“Përtej sloganeve të cilat janë pjesë e fushatës zgjedhore, përmbajtja e kësaj fushate është më e ashpër dhe pak zënë hapësirë sloganet”, deklaroi ai.
Duke komentuar veçmas sloganet e partive politike, Pozhari tha se slogani i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ngjan një kopjeje nga fushatat presidenciale në SHBA.
“Nëse merremi me slogane të përveçme, LDK ka slogan diçka të kopjuar nga fushata presidenciale në SHBA”, u shpreh ai.
Ai kritikoi edhe sloganin e Partisë Demokratike të Kosovës, duke thënë se thirrja “stop krizës” bie në kundërshtim me rolin që kjo parti ka pasur në krizën institucionale në vend.
“PDK thotë ‘stop krizës’, duke ditur se edhe ajo ka qenë pjesë e krizës institucionale duke mos bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit”, tha Pozhari.
Ndërkohë, ai vlerësoi se Lëvizja Vetëvendosje ka treguar më shumë kreativitet në ndërtimin e sloganeve elektorale.
“Vetëm LVV është më kreative pasi në çdo fushatë krijon slogan të ri dhe ky slogan është më i lehtë për t’u mbajtur mend”, deklaroi analisti politik.
Dedaj: Sloganet po zbehen në fushatë, elektorati i Kosovës pa orientim në “mjegull zgjedhore”
Ish-ambasadori Gjergj Dedaj, poashtu komentuar ashpër klimën politike dhe fushatën zgjedhore në vend, duke thënë se debati publik po dominohet nga tensionet politike, ndërsa sloganet dhe programet po zbehen në rëndësi.
“Në këtë amulli elektorale dhe mjegull zgjedhore të shkaktuar nga regjimi në ikje i LVV, fare pak janë të rëndësishme dhe në dukje sloganet dhe programet zgjedhore të partive politike, dhe në fakt po mbesin në hije përballë ashpërsisë së përmbajtjes së kësaj fushate”, tha Dedaj.
Duke folur për gjendjen e elektoratit, ai u shpreh se votuesit e Kosovës janë shndërruar në makina zgjedhore pa sens.
“Votuesit e Kosovës janë shndërruar në makina zgjedhore pa sens, pa ide dhe pa vullnet”, tha ai.
Ai shtoi kritika edhe ndaj udhëheqjes shtetërore.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani për 5 vitet e sundimit të tyre e kanë denigruar jo vetëm Kosovën, por edhe vetë demokracinë, shpresën dhe të ardhmen e Kosovës”, potencoi Dedaj.
Sa u përket sloganeve të partive politike, ai deklaroi se sloganet e partive janë vetëm parulla mashtruese për makinerinë votuese në Kosovë.
“Sloganet e partive janë vetëm parulla mashtruese për makinerinë votuese në Kosovë, e cila si e tillë e ka kollapsuar vendin dhe i ka degraduar institucionet shtetërore”, u shpreh ai.
Demhasaj: Sloganet e partive janë të zakonshme, pa ndikim të madh në elektorat
Analisti politik Arton Demhasaj, ka vlerësuar se sloganet e partive politike në këtë fushatë zgjedhore nuk kanë ndonjë peshë të veçantë dhe nuk përbëjnë element vendimtar në mobilizimin e votuesve.
“Janë slogane normale, s’kanë diçka të veçantë edhe partitë e kanë kuptu se sloganet nuk e mobilizojnë masën, thjeshtë përdorët për me ndezë masën nëpër politikë dhe partitë s’po i kushtojnë rëndësi atyre”, tha ai.
Sipas tij, në kushte normale, sloganet mbeten kryesisht të zakonshme dhe nuk dallojnë mes vete.
“Në kushte normale janë slogane normale, jo të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
© SYRI.net