DnV: Ndarja e 100 eurove para zgjedhjeve, shkelje ligjore dhe rast klasik i keqpërdorimit të resurseve publike

DnV: Ndarja e 100 eurove para zgjedhjeve, shkelje ligjore dhe rast klasik i keqpërdorimit të resurseve publike

13:11, 22/05/2026

“Demokracia në Veprim” ka dalë me reagim lidhur me ndarjen e 100 eurove nga Qeveria në detyrë, duke thënë se ndarja e këtyre pagesave të njëhershme pak para zgjedhjeve përbën shkelje ligjore dhe rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike në periudhë zgjedhore, shkruan Reporteri.net.

Në reagimin e DnV’së thuhet se legjislacioni zgjedhor qartazi ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve.

“Shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet”, thuhet në reagim.

DnV ka rikujtuar se Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare.

“Prandaj, në këtë drejtim ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, sidomos kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual”.

Tutje thuhet se kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti që ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë emergjente të re që do të arsyetonte masa të tilla urgjente.

“Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi që mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve”.

Sipas DnV, raste të tilla duhet të jenë subjekt i trajtimit institucional dhe juridik nga mekanizmat përgjegjës për mbrojtjen e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor dhe administrimit të parasë publike. M

“Mosveprimi ndaj praktikave të tilla rrezikon të normalizojë përdorimin e buxhetit të shtetit për përfitim politik gjatë fushatave zgjedhore”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco