Kreu i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se uniteti politik është thelbësor për, siç tha ai, “mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Përmes një postimi në Instagram, Petkoviq pranoi se qytetarët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe situata politike, por kërkoi që komuniteti serb të mbetet i bashkuar dhe i vendosur.
“E kuptoj që njerëzit janë të lodhur sepse kemi shumë procese zgjedhore dhe një krizë të madhe politike dhe paqëndrueshmëri në Prishtinë, por varet nga ne të durojmë, të luftojmë dhe të qëndrojmë të bashkuar”, shkroi ai.
Petkoviq shtoi se, sipas tij, vetëm përmes mbështetjes për Listën Serbe mund të mbrohen interesat e komunitetit serb në Kosovë.
Deklaratat e tij vijnë në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara për 7 qershorin, në një periudhë tensionesh të vazhdueshme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
© SYRI.net