SYRI TV/ Rama shtyn lejen e djegësit fantazëm - Inceneratori 120 mln euro nuk ekziston

13:04, 15/05/2026

Qeveria Rama ka vendosur të shtyjë afatin e lejes së ndërtimit për inceneratorin e Tiranës, një projekt fantazmë që prej një dekade ka thithur qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve pa u realizuar. Vendimi u miratua më 30 mars nga kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të Këshillit të Rregullimit të Territorit.

Ndërkohë, bashkitë e kryeqytetit vazhdojnë të derdhin miliona euro për një shërbim që nuk ekziston, ndërsa disa zyrtarë janë arrestuar për abuzimin me fondet e inceneratorit.

Syri tv

Plot 10 vjet pas miratimit të koncesionit për inceneratorin fantazmë të Tiranës, kryeministri Edi Rama ka vendosur të shtyjë afatin e lejes së ndërtimit për impiantin me vlerë dhjetëra milionë euro që nuk u ndërtua kurrë.Në 30 mars 2026, Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka miratuar vendimin nr. 32, me objekt “Shtyrjen e afatit të lejes për objektin: Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, faza I”, e cila është miratuar paraprakisht në Maj 2019.

Për momentin, është e paqartë se cili është qëllimi i shtyrjes së lejes së ndërtimit të inceneratorit. Impianti duhet të ishte ndërtuar maksimalisht në dhjetor të vitit 2020, ndërkohë që në landfillin e Sharrës nuk është vendosur as edhe një tullë për këtë investim, i cili përllogaritet në rreth 100 milionë euro.Për më tepër, kryeministri Rama deklaroi gjatë prezantimit të planit të tij qeveritar në mandatin e katërt se Shqipëria do të rikthehej në përpunimin e mbetjeve në landfille sanitare, duke zhdukur tërësisht nga fjalori i tij termin incinerator. Inceneratori i Tiranës është një histori e pastër korrupsioni dhe pastrimi parash masiv, sipas konstatimeve të Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Në gusht të vitit 2016, qeveria shqiptare nënshkroi me kompaninë off-shore “Integrated Energy Bv” kontratën me koston koncesionare 120 milionë euro dhe me kosto reale shumë herë më të lartë, për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.Disa kallëzime të opozitës rezultuan me hetimin dhe dënimin e disa zyrtarë qeveritarë. Ndërkohë, SPAK-u nuk kreu hetime për ata që opozita i konsideronte si personat kyç të aferës së inceneratorit të Tiranës, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj.Aktualisht, kompania “IEBV” është e bllokuar dhe menaxhohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Megjithatë, si Prokuroria, ashtu edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë konstatuar se institucionet lokale të qarkut të Tiranës paguajnë faturë abuzive 29 euro për ton në llogaritë e kompanisë koncesionare, bashkitë vijojnë të paguajnë pa ndërprerje.Vetëm pak ditë më parë, në 13 Prill 2026, Bashkia e Tiranës pagoi faturën e radhës në vlerë rreth 800 mijë euro, për një shërbim që nuk kryhet i plotë në landfill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco