Forca të shtuara të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës janë parë sonte në Skenderaj pas incidentit në të cilin janë përfshirë kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani.
Pamje të publikuara nga KALLXO.com tregojnë njësitet elite të Policisë duke patrulluar në qytet pas ngjarjes që ka ndodhur në një lokal në qendër të Skenderajt.
Policët në pamje duken të armaatosur me armë të gjata dhe me maska në kokë.
Incidenti ka ndodhur pas një përplasjeje mes Lushtakut dhe Mehanit, ku situata ka eskaluar në dhunë fizike.
Nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë e ditur se Hysni Mehani fillimisht është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me një gotë në kokë, pas së cilës ka kërkuar ndihmë mjekësore. Motivet e përplasjes ende nuk janë bërë të ditura.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk është paraqitur për intervistim.
© SYRI.net