Përplasje mes Osmanit dhe VV-së: Akuzat për takime sekrete me Vuçiqin ndezin klimën parazgjedhore

Përplasje mes Osmanit dhe VV-së: Akuzat për takime sekrete me Vuçiqin ndezin klimën parazgjedhore

12:21, 14/05/2026

 

Raportet mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë hyrë në një fazë të re tensioni politik. Osmani ka akuzuar Kurtin për takime sekrete me presidentin serb Aleksandar Vuciq, ndërsa reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka munguar, duke i cilësuar deklaratat si pjesë të fushatës parazgjedhore.

Përplasja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-presidentes Vjosa Osmani ka filluar të nxehet. Kjo pasi ish-presidentja dje ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Albin Kurtit për takime sekrete me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Pretendimet e ish-shefes së shtetit janë hedhur poshtë nga numri dy i VV-së dhe Qeverisë në detyrë, Glauk Konjufca.

Ky i fundit, ka bërë me dije se nuk bëhet fjalë për takime sekrete, por për takime normale që janë zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së.

Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, në emisionin “Debat Plus”, e ka kritikuar Osmanin se këto çështje po i përdor për fushatë.

“Ajo është në dhomat e negociatave në Bruksel dhe normalisht rrihet me orë të tëra. Çka po ndodh tash është se Osmani po dëshiron t’i përdorë dy tema – Amerikën dhe Serbinë. Ajo po don me e mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit, si dhe me e frikësu popullin me Serbinë. Sikurse PDK-ja dhe LDK-ja i kanë humbur zgjedhjet me këto dy tema, do t’i humbin sërish”, ka thënë Konjufca.

Megjithatë, ish-presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka fakte për një gjë të tillë.

Gjatë një tubimi elektoral në Prishtinë, Osmani ka thënë se Kurti duhet të sqarohet për këtë takim.

“Pytja nuk është çka kom fol unë me nji takim publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çka ka fol ai veç me Vuçiqin e Lajçakun me nji dhomë, kërkush su konë tjetër aty. A e dini ju? As unë se di. Presidente e Kosovës, dhe nuk më kanë tregu. A nuk mendoni që e kanë detyrim me dal para qytetarëve. Veç vet me nji dhomë jonë konë, Kryeministri i Kosovës, Presidenti i Serbisë edhe ai Lajçak Epsteini. Qekjo është pyetja”, ka thënë Osmani.

Bartësja e listës së LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit ka paralajmëruar se në legjislaturën e ardhshme do të themelojë komisionet hetimor parlamentar për këtë çështje.

“Unë e kam transkriptin e asaj çka unë kom bisedu. Por, na kemi me bë komision paralamentar se ata çka kanë bisedu. Çka po majnë msheft? Çka po majnë msheft?”, ka deklaruar Osmani.

Këtë përplasje të VV-së me Osmanin e ka komentuar analisti Afrim Kasolli.

Duke ironizuar me pretendimet e ish-presidentes Osmani, ai ka vlerësuar se një gjë e tillë kurrë nuk do të dihej, nëse VV-ja do ta bënte sërish presidente Osmanin.

“Sikur Lëvizja Vetëvendosje te ishte pajtuar për t’ia vazhduar mandatin e dytë presidencial Vjosa Osmanit, populli do të kishte mbetur në “terr informativ” per takimet sekrete të Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiqin ne prani të Lajçakut. Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti se ky “përkushtim” i Vjosës për ta “mbrojtur” vendin nga rreziku i tradhtisë kombëtare qe e përfaqësojnë kundërshtarët e saj nuk është se deri me tani nuk i ka sjellur përfitime personale. Njëherë këtë rol e kishte Hashim Thaçi, mëpastaj Avdullah Hoti me marrëveshjen e Uashingtonit dhe së fundi Albin Kurti”, ka shkruar ai.

Analisti Imer Mushkolaj ka komentuar akuzat e ish-presidentes Vjosa Osmanit ndaj kryeministrit Albin Kurti për takimet sekrete me Aleksander Vuçiqin.

Ai ka shtruar një pyetjet për bartësen e listës së LDK-së.

Në profilin e tij në Facebook, ai e ka pyetur Osmanin pse nuk kishte treguar për këto takime sa ishte presidente.

“Me e pasë bo Albini edhe njëherë presidente, Vjosa kurrë nuk kish folë për këtë sen. Ajo i ka shërbye dhe do t’i shërbente me devotshmëri atij, vetëm për ta mbajtur postin e presidentes. Pse nuk iu kallxoi qytetarëve për bëmat e Albinit sa ishte presidente? E dimë krejt pse. E dimë krejt se kjo e ka hallin e karrierës së vet – një e pangopur për pushtet dhe privilegje. Oportuniste e llojit t’vet”, ka shkruar ai.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco