Raportet mes Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani kishin nisur të ftoheshin që gjatë vitit 2024, ka deklaruar nënkryetari i Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar fjalimin e Osmanit në Kuvend si një “goditje të hapur” ndaj Qeverisë së Albin Kurti.
Sipas Konjufcës, deklarata e Osmanit në fund të vitit 2024, ku ajo kritikoi Qeverinë për raportet me SHBA-të, ishte momenti që tregoi qartë ndarjen politike mes saj dhe LVV-së.
“Ajo ua bëri me dije qytetarëve që e godet Qeverinë dhe që nuk është më në të njëjtin mendim me Qeverinë”, deklaroi Konjufca.
Ai tha se periudha 2022-2023 kishte qenë shumë më pozitive në raportet mes Osmanit dhe LVV-së, por se më pas kishte ardhur “momenti i thyerjes”.
Konjufca shtoi se kryeministri Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë mund të japin më shumë detaje për raportet me Osmanin, nëse e konsiderojnë të nevojshme për opinionin publik.
Megjithatë, ai theksoi se jo të gjitha arsyet e ndarjes do të bëhen publike, pasi sipas tij, LVV nuk i përdor bisedat sensitive shtetërore si “armë të fushatës zgjedhore”.
Sipas Konjufcës, Vetëvendosje nuk e ka parë të arsyeshme mbështetjen e një presidenteje që “do ta godiste Qeverinë edhe në vazhdim”.
Ai deklaroi gjithashtu se LVV arriti rezultatin prej 51 për qind në zgjedhje edhe pas “goditjeve” që, sipas tij, kishte marrë nga Osmani, duke shtuar se qytetarët e kanë perceptuar ndryshimin e saj të qëndrimit si një veprim politik të lidhur me pozitën që mban.
© SYRI.net