Blushi debat me ministrin Vengu: Po falni pronat e ushtrise te Ron Yeffet te hetuar nga NATO, korrupsioni i Rames po cenon sigurine kombetare

Blushi debat me ministrin Vengu: Po falni pronat e ushtrise te Ron Yeffet te hetuar nga NATO, korrupsioni i Rames po cenon sigurine kombetare

12:37, 23/01/2026

Deputeti i opozitës, Blushi, ngriti sot në Komisionin e Ligjeve akuza të forta ndaj Ministrit Vengu dhe qeverisë Rama, duke i lidhur ato me pretendime për korrupsion dhe çështje të sigurisë kombëtare.

Blushi kërkoi sqarime për një marrëveshje të Ministrisë së Mbrojtjes me kompaninë izraelite Elbit System, e cila sipas tij ndodhet nën hetim nga NATO. “Një kompani që, sipas denoncimeve të ish-ministrit Ahmetaj, po përfiton pronat e ushtrisë shqiptare. Nuk mund të kalojë kjo çështje në heshtje,” tha Blushi.

Ai gjithashtu ngriti pyetje konkrete: a ka qeveria falur prona të Forcave të Armatosura për Ron Yeffect, dhe cili është niveli i përfshirjes së tij në aktivitetet e importit dhe eksportit të armëve?

Në diskutimin e tij, Blushi nuk la pa përmendur as situatën e emergjencave natyrore, duke akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se Forcat e Armatosura janë lënë pa mjetet e nevojshme për përballimin e përmbytjeve, veçanërisht në Qarkun e Korçës dhe Durrësit. Ai kërkoi informacion mbi masat që janë marrë dhe mbi praninë aktuale të forcave në terren.

Deputeti e mbylli fjalën e tij me pyetjen se kur qeveria do të plotësojë kriteret e financimit të ushtrisë që kërkon NATO, duke e konsideruar këtë një çështje të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Blushi: 

Kam disa cështje për të cilat besoj se interesi publik është i shtuar, nisur dhe nga fakti që ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, Z. Ahmetaj, ka bërë disa denoncime shumë serioze, në kuadër të denoncimeve të tij prej kohësh për aferat më monstruoze të kësaj qeverie dhe një prej tyre lidhet pikërisht me Ministrinë e Mbrojtjes.
Cështje dhe akuza për të cilat ende sot nuk ka asnjë sqarim publik, as nga Kryeministri dhe as nga Ministria e Mbrojtjes dhe meqë sot keni sjellë për shqyrtim një ligj për armët, unë do doja të dija nga Ministri i Mbrojtjes se kush ka qenë interesi i qeverisë për të lidhur Marrëveshje me Elbit System.
E bëj këtë pyetje për vet faktin se NATO, vend anëtar i të cilit ne jemi, e ka pezulluar këtë kompani dhe e ka vendosur nën hetim.
Një kompani, e cila sipas Z. Ahmetaj, po përfiton edhe pronat e ushtrisë shqiptare.
Ndaj, është momenti që ju Z. Ministër, të shpreheni për këtë cështje, e cila nuk mund të kalojë në heshtje, sepse pronat e ushtrisë nuk janë as tuajat, nuk janë as të Edi Ramës dhe kjo cështje, për sa kohë lidhet me sigurinë Kombëtare, meriton transparencë dhe llogaridhënie para Komisionit.
Doja të dija nga ju, a po i fal Edi Rama pronat e ushtrisë Ron Yeffect dhe sa prona ushtrie ka përfituar ky biznesmen izrealit deri në këtë moment që po flasim?
Një biznesmen, i cili është përfshirë kudo ku ka ushtruar aktivitetin e tij në skandale, nga Senegali e deri tek vendet anëtare të NATO-s.
Pra, a i keni falur prona të ushtrisë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë Ron Yeffect?
A keni marrëveshje me të, ju si Ministri dhe a është përfshirë ky si biznesmen në aktivitetet aktual për importin dhe eksportin e armëve?
Një tjetër cështje që doja të ngrija sot në këtë Komision, lidhet me përmbytjet.
Ka patur shumë denoncime, sa i përket faktit që Forcat e Armatosura janë lënë në mëshirë të fatit, pa patur mjetet e nevojshme për përballimin e kësaj situate, sidomos edhe në Qarkun e Korcës, ku vet punonjës, jo vetëm të Ministrisë tuaj, por edhe ushtarakë, kanë denoncuar faktin që mjetet me të cilat ju i keni dërguar në terren për të përballuar pasojat e përmbytjeve që në fakt u shkaktuan nga korrupsioni i Qeverisë që ju përfaqësoni në këtë Komision dhe jo për shkak të Zotit, janë lënë në mëshirë të fatit.
Cilat kanë qenë masat që ka marrë Ministria e Mbrojtjes në raport me situatën?
Ku janë sot, se nuk kemi më raportim, a ka sot forca në terren, të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura për të ndihmuar qytetarët?
Sepse dhe pamjet që u transmetuan në media, kur e pretenduara Delta Forcë e ushtrisë shqiptare, përmbytej në kanalet e Qarkut të Durrësit, ishin të pahijshme, sidomos për një vend anëtar të Nato-s.
Dhe pyetja e fundit:
Kur Qeveria Shqiptare do të plotësojë atë kushtëzim, sa i përket financimit të ushtrisë, në ato kritere që kërkon NATO?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco