Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lansuar Bordin e Paqes, një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke përsëritur bindjen e tij se një marrëveshje e paqes për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës “do të arrihet shumë shpejt”.
Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por udhëheqësi amerikan tha se ai do të punojë që të sigurojë paqe në mbarë botën.
“Ne do të punojmë me shumë të tjerë, përfshirë OKB-në”, tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Davos të Zvicrës më 22 janar, duke iu referuar me gjasë shqetësimeve se Bordi do të synojë të zëvendësojë OKB-së, institucion që Trump e ka kritikuar shpesh.
Në ceremoni morën pjesë udhëheqës nga Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.
Shtete të tjera kanë sinjalizuar gatishmëri për t’u bashkuar, përfshirë Bjellorusinë, Izraelin dhe Vietnamin. Asnjë nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përveç SHBA-së, nuk ishin të pranishëm, ndonëse të gjithë ishin ftuar që të bashkohen.
© SYRI.net