Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin F.B., i dyshuar për vrasjen e nënës së tij në fshatin Restelicë të Dragashit.
Masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 22 shkurt 2026.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Shpresa Emra, ka theksuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm për shkak të peshës së rëndë të veprës, mënyrës së kryerjes brenda ambientit familjar, vendosmërisë së të pandehurit dhe historisë së mëparshme të tij me viktimën T.B.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngulfatajes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare”.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që F.B. të nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik në QKUK, Instituti i Forenzikës Psikiatrike, brenda dy javësh nga dita e lëshimit të urdhrit, dhe raporti të dorëzohet tek Prokuroria Themelore në Prizren dhe gjyqtari i procedurës paraprake.
“Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjene procedurës hetimore. Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 22.01.2026, ka lëshuar URDHËR, për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy (2) javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës. Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftim.
© SYRI.net