Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot që të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit të rinumërohen. Ky vendim vjen pas gjetjes së manipulimeve të votave për kandidatët për deputet, me dallimet më të mëdha të evidentuara në komunën e Prizrenit.
Gjatë mbledhjes, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë zbritur mbi 36 mijë vota për kandidatët, të cilat më parë u ishin regjistruar gabimisht në Qendrën e Kualifikimit të Numërimit (QKN).
Po ashtu, sipas Radoniqit, pas rinumërimit janë shtuar 20,978 vota kandidatëve që nuk ishin regjistruar saktë në QKN.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi”, tha Radoniqi.
Ai tha se analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Atje, pas rinumërimit, janë zbritur 29,343 vota dhe janë shtuar 16,366 vota për kandidatët. Në komunat e tjera të rinumëruara, ndryshimet nuk janë të mëdha, megjithatë në disa vendvotime janë evidentuar pasaktësi më të dukshme, përfshirë gabime në regjistrimin e votave dhe rivlerësim të fletëvotimeve të pavlefshme.
Kujtojmë që një javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)mori vendim që 914 vendvotime të shkojnë në rinumërim, ku përfshiheshin 10 komuna.
© SYRI.net