Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë e “Flakës së Janarit”, e cila i kushtohet Masakrës së Recakut.
Kurto tha se “Flaka e Janarit” fillimisht nisi si shënim i 10 vjetorit të vrasjes së tre veprimtarëve politikë dhe patriotëve të paepur Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë më 17 janar 1982 në Gjermani, nga shërbimi sekret jugosllav. Rreth këtij festivali, u përbashkua kujtimi edhe për rënien e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, të vrarë nga policia jugosllave më 11 janar 1984 në Prishtinë.
Më tej Kurti vlerësoi rëndësinë e ruajtjes së traditës, për kultivimin e vlerave kombëtare dhe ndërtimin mbi themele të forta të atyre mureve prej të cilave lartësohet ngrehina jonë shoqërore, gjegjësisht shtëpia jonë, Republika e Kosovës.
“Edhe vetë thyerjet e traditës, janë pjesë e saj, sikur në vitin 1999, kur në edicionin e tetë të “Flakës së Janarit”, programi i këtij festivali u pat shkurtuar për shkak se më 15 janar 1999, forcat policore serbe kryen një masakër në fshatin Reçak të Shtimes, duke i vrarë 45 civilë të pambrojtur e të paarmatosur. 27 vite më vonë, akademia përkujtimore e “Flakës së Janarit”, i kushtohet Masakrës së Reçakut, përkujtimit dhe nderimit të viktimave dhe dëshmorëve, të rënë atje, në luftën e drejtë të popullit tonë për çlirimin e Kosovës nga Serbia armike, okupatore dhe shtypëse.”, tha kryeministri.
Kurti theksoi se duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker, si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit, e pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë.
“Po ishte pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ajo që më 1999, ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë. Kurse në kohën tonë, na takon ne ta gjurmojmë dhe ta studiojmë këtë masakër, në kontekstin politik e gjeopolitik, në kronologjinë e historisë më të re, duke i denoncuar urdhëdhënësit dhe ekzekutuesit e saj para drejtësisë dhe duke e lënë të rrëfyer dhe të shkruar historinë e Masakrës së Reçakut për të gjithë brezat dhe njerëzimin.
Dhe më në fund Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit 2025, pra në muajin e kaluar, ngriti një aktakuzë për 21 persona lidhur me këtë masakër”, tha Kurti.
© SYRI.net