Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar zyrtarisht se të gjitha produktet e kafesë në Kosovë janë të sigurta për përdorim. Pas analizave laboratorike të kryera, AUV bën të ditur se nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Sipas njoftimit, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë pa pengesa tregtimin e kafesë. Po ashtu, qytetarët mund ta konsumojnë kafenë pa shqetësim.
Ky reagim vjen pas një njoftimi të pranuar disa ditë më parë përmes sistemit RASFF, lidhur me një produkt kafeje të eksportuar në Kroaci, ku ishte raportuar nivel i lartë i akrilamidës. Bëhej fjalë për një produkt me origjinë nga Kosova, i destinuar vetëm për tregun kroat.
AUV sqaron se menjëherë janë ndërmarrë veprime ligjore, përfshirë kontrolle në terren dhe analiza për të gjitha brendet e kafesë që prodhohen për tregun vendor dhe për eksport.
Rezultatet kanë treguar qartë se niveli i akrilamidës në të gjitha produktet e testuara është nën kufirin maksimal të lejuar sipas standardeve të sigurisë ushqimore.
Agjencia bën të ditur se do të vazhdojë monitorimin e rregullt për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

© SYRI.net