Kuçi: Politico rrëzon mitin e neutralitetit të Serbisë dhe zbulon bashkëpunimin represiv me Rusinë

Kuçi: Politico rrëzon mitin e neutralitetit të Serbisë dhe zbulon bashkëpunimin represiv me Rusinë

13:37, 15/01/2026

Profesori i gjeopolitikës dhe hulumtuesi i lartë në institutin Octopus, Gurakuç Kuçi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zbulimet e fundit të medias Politico mbi lidhjet e sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë.

Sipas Kuçit, Politico ka publikuar prova të reja që tregojnë se Serbia nuk është neutrale, siç pretendon zyrtarisht, por ka një bashkëpunim real dhe operacional të sigurisë me Rusinë. Ai thekson se nuk bëhet fjalë vetëm për informim, por për dëshmi të qarta të përdorimit të mjeteve represive.

Në shkrimin e tij, Kuçi citon dokumente sipas të cilave zyrtarë të inteligjencës serbe të BIA-s, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me shërbimet ruse, kanë testuar armë sonike LRAD mbi kafshë. Qëllimi, sipas tij, ka qenë matja e kapaciteteve për kontroll dhe represion.

Ai nënvizon se këto teste janë kryer vetëm dy javë pasi e njëjta teknologji ishte përdorur kundër protestuesve gjatë protestës anti-qeveritare të 15 marsit 2025. Sipas Kuçit, kjo afërsi kohore tregon se nuk kemi të bëjmë me trajnim teknik, por me kalibrim real të mjeteve kundër shoqërisë civile.

Kuçi shton se Politico ka dokumentuar përdorimin e dy modeleve konkrete, LRAD 100X MAG-HS dhe LRAD 450XL, të testuara në distanca të ndryshme, çka dëshmon një proces të organizuar dhe të matshëm operacional.

Ai rikujton se Politico kishte zbuluar edhe më herët, në vitin 2023, se agjentë të inteligjencës serbe të infiltruar në institucionet e BE-së ishin shfrytëzuar nga Rusia. Sipas Kuçit, këto gjetje përputhen plotësisht me hulumtimet e tij nga burime të hapura, ku ka argumentuar se Serbia shërben si portë operative e Rusisë kundër Perëndimit.

Në fund, Kuçi vlerëson se rasti i LRAD-ëve është vetëm një hallkë tjetër e një arkitekture hibride sistemike, e cila, sipas tij, mbrohet politikisht nga statusi i Serbisë si vend kandidat për Bashkimin Evropian.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco