Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga posti i nënkryetares së LDK-së, kërkon edhe dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut

Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga posti i nënkryetares së LDK-së, kërkon edhe dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut

19:12, 14/01/2026

Hykmete Bajrami, ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo po ashtu ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke u thirrur në standardet politike që, sipas saj, vetë LDK-ja i ka ndërtuar ndër vite.

Në një reagim publik pas mbledhjes së djeshme të partisë, Bajrami bëri të ditur se, duke respektuar të njëjtin standard të përgjegjësisë politike, ka ofruar edhe dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së.

Ajo theksoi se kushdo që mban përgjegjësi për rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi politike dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme në parti.

Bajrami theksoi se ky veprim nuk është personal apo emocional, por rrjedhojë e respektimit të parimeve politike që LDK-ja ka ndërtuar ndër vite. Sipas saj, pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet drejtuese të partisë kanë humbur legjitimitetin dhe zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme.

Ajo paralajmëroi gjithashtu për, siç tha, rrezikun e përqendrimit të pushtetit absolut në duart e një partie dhe një individi, duke vlerësuar se ky zhvillim paraqet sfidë serioze për Republikën e Kosovës.

“LDK-ja kurrë nuk ka qenë vetëm një parti politike, por mbrojtëse e shtetit, e institucioneve, e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Kjo arrihet vetëm kur interesin e Kosovës e vendosim mbi interesin partiak”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo falënderoi mbi 126 mijë qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe më shumë se 57 mijë votues që i kanë besuar mandatin e saj politik, duke bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në Kuvendin e Kosovës si deputete e zgjedhur në mandatin e saj të shtatë, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në fund, Bajrami theksoi se LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, duke vlerësuar se një LDK e fortë i duhet Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco