Rruga që lidh fshatrat Cernaleve, Oreshke dhe Borje ka mbetur e bllokuar prej disa ditësh për shkak të shkarjeve masive të dherave të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe dëborës.
Banorët e zonës thonë se situata është tejet e rrezikshme, pasi rrezikohet çarja e tubave të hidrocentralit që kalojnë mbi disa shtëpi të rrugës Prisuj.
Një problem i madh është shkarja e dheut që ndodhi vetëm 15 metra poshtë tubave të hidrocentralit, duke shkaktuar frikë te banorët.
Ata thonë se ky fenomen nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe se burimi ku janë vendosur tubat ka shpërndarë ujin, duke përshpejtuar procesin e shkarjes së dheut.
Pas reshjeve të shumta të shiut dhe dëborës të një jave më parë, shkarjet e dheut janë përshpejtuar dhe kanë arritur të afrohen shumë pranë banesave, duke përbërë një kërcënim serioz për sigurinë e tyre.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Pamjet nga vendngjarja dëshmojnë qartë rrezikun që vjen nga shkarjet dhe përmbysjet e dheut, ndërsa situata vazhdon të mbetet e rrezikshme për familjet që jetojnë në zonën e Cernaleve.
© SYRI.net