Ngjarja me 3 fëmijët që tronditi Durrësin, sociologu Tushi tregon dështimin zinxhir: Nga familja te shteti, kush e ka përgjegjësinë

15:37, 13/01/2026

Rasti tronditës i tre fëmijëve të gjetur të mbyllur dhe të vetëm për ditë me radhë në banesën e tyre në Durrës, ka vënë në alarm shoqërinë dhe ka ngritur pyetje të forta mbi funksionimin e institucioneve.

Sipas sociologut Gëzim Tushi, kjo ngjarje dramatike nuk është një incident i izoluar, por pasqyrimi i një dështimi zinxhir që nis nga familja biologjike dhe përfundon te shteti.

Në një analizë të thelluar, i ftuar në 'Edicionin qëndror' në SYR TV, Tushi thekson se përgjegjësia është e shumëfishtë. Ajo nis me mungesën e kujdesit nga nëna dhe babai i divorcuar, por shtrihet më gjerë tek institucionet e kujdesit social, qofshin ato komunitare në nivel vendor apo ato kombëtare. “Prapa këtij rasti duhet të shikojmë pyllin e problemeve sociale që ka shoqëria jonë”, u shpreh ai, duke bërë thirrje që vëmendja mediatike të shërbejë si një pikënisje për një debat më të gjerë.

Sociologu identifikoi fëmijët, gratë dhe të moshuarit si kategoritë më vulnerabël në shoqërinë shqiptare, të cilët shpesh margjinalizohen, neglizhohen dhe bien pre e dhunës. Ai vuri një theks të veçantë te fëmijët e familjeve të divorcuara, të cilët, sipas tij, janë të defavorizuar, sidomos kur divorcet janë konfliktuale dhe agresive, një realitet i shpeshtë në Shqipëri. “Bashkëshortët duke prishur martesën, prishin edhe prindërimin dhe kjo është e pafalshme”, deklaroi Tushi. Ndërsa Shqipëria ka një arkitekturë të plotë ligjore dhe institucionale për shërbimet sociale, përfshirë ato të decentralizuara në nivel bashkiak, zbatimi në praktikë lë për të dëshiruar.

Tushi kritikoi qasjen shpeshherë burokratike të këtyre institucioneve, të cilat në vend që të ofrojnë zgjidhje konkrete, “lajnë duart” pa mbajtur përgjegjësitë e duhura. Pyetja se përse një familje me prindër të divorcuar dhe me vështirësi të njohura nuk ishte nën monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet sociale, mbetet pa përgjigje. Në qendër të debatit qëndron përgjegjësia prindërore.

Sipas Tushit, interesat e fëmijës duhet të jenë mbi gjithçka dhe shteti ka të drejtën dhe detyrimin absolut të ndërhyjë dhe të heqë të drejtën prindërore kur fëmijët rriten në një mjedis të paaftë, neglizhues apo të dhunshëm. “Në emër të interesave të fëmijëve, ata duhen marrë në mbrojtje të menjëhershme”, pohoi ai, duke shtuar se zgjidhjet ekzistojnë, nga mbështetja financiare për familjet në vështirësi ekonomike deri te sistemimi i fëmijëve në familje kujdestare.

Tushi:

Ngjarja e ditës së djeshme dhe fati i tre fëmijëve fatkeq që ishin në atë situatë dramatike për shkak të mungesës të të gjitha llojeve të kujdesit, që nga kujdesi i familjes biologjike, i nënës, i babait të divorcuar që ishte në distancë, i institucioneve për kujdesin social, të atyre komunitare që janë në varësi të pushtetit vendor, apo dhe të institucioneve nacionale, edhe ato janë komplementare në përkujdesin për fëmijët në nevojë. Është një gjë shumë e mirë që këto dy ditë ka pasur një një bombardim të fortë mediatik lidhur me këtë ngjarje, një sensibilitet shumë të madh human të mediave, po natyrisht edhe të qytetarëve, por unë mendoj që ne duhet që përtej këtij rasti, domethënë prapa drurëve duhet të shikojmë pyllin e problemeve sociale që ka shoqëria jonë, që ka familja jonë dhe sidomos ajo që kanë të bëjnë me fëmijët.

Është në mënyrë evidente, unë e kam studiuar edhe e kam nxjerrë konkluzionet që dy kategoritë më të rrezikuara që kanë probleme dhe që margjinalizohen, që trajtohen keq, që bëhen pre e dhunës e neglizhencës, e mungesës së trajtimit, e vulnerabilitetit dhe e gjithë këtyre faktorëve të tjerë toksikë që kanë ndikim shkatërrues, degradues mbi personalitetin e njeriut, janë fëmijët në radhë të parë, gratë dhe të moshuarit që janë të tretët në këtë fushë të trajtimit të problemeve që kanë.

Po le të kthehemi tek rasti i Durrësit. Pa diskutim, unë mendoj që situata, ngjarja duhet analizuar sepse ka një, ka një, ka një, një varg faktorësh polivalent dhe shumë dimensional që sintetizohen tek ngjarja. Pra, mendoj që nuk duhet ta shikojmë thjesht në mënyrë empirike, në mënyrë vojeriste, duke parë atë realitetin e shëmtuar, të zymtë, të trishtë, të pistë, jashtë çdo përfytyrimi. Domethënë ajo është një, unë nuk e di në mund të ketë ndonjë ngjarje tjetër që të jetë e atillë që tre fëmijë të jetojnë në kushtet e një mizerabiliteti ekstrem, të izoluar, të mbyllur, duke pasur, duke qenë fëmijë nga një familje e divorcuar dhe sikurse dihet, ë, për ta theksuar në mënyrë të veçantë, fëmijët me familje të divorcuar gjithmonë nuk janë fëmijë të favorizuar. Janë fëmijë të defavorizuar, sidomos kur divorci është konfliktual, sidomos kur divorci nuk është miqësor, nuk është i mirëkuptueshëm.

Sepse në shoqërinë shqiptare, shumica e divorceve janë divorce konfliktual, janë agresiv, janë neurotik dhe në një farë mënyre, bashkëshortët duke prishur martesën, prishin edhe prindërimin dhe kjo është e pafalshme për shoqërinë shqiptare, e pafalshme për ne. Shoqëria shqiptare nuk ka qenë kurrë shoqëria antifëmijë. Dhe familja shqiptare edhe në rastet kur ka pasur fatkeqësi në bashkëshortësi, siç është divorci apo humbja e njërit prind për arsye biologjike, i ka gjetur instrumentet dhe stabilizatorët social për t'i mbrojtur fëmijët, sepse po e them që ne kemi qenë vërtet shoqëri shumë e varfër, egalitariste, në kushtet e sistemit totalitar, ama mbrojtja e fëmijëve në ato kushte varfërie ka qenë, ka qenë shumë e sigurt. Sepse në qoftë se bie fjala dhe të dy prindërve, bashkëshortëve ju kishte marrë koka erë, ju e dini që dilte në mbrojtje familja kujdestare biologjike, gjyshi, gjyshja, halla, tezja, xhaxhai, që i merrnin në mbrojtje fëmijët, madje derisa ata shkolloheshin dhe ecnin.

Më duket që kjo traditë e mirë, sepse jo të gjitha gjërat janë të, unë, unë jam, unë jam liberal dhe jam partizan i tezës individualiste, e pranoj modernitetin, e pranoj modelin e ri të familjes shqiptare, që është familja bërthamore, familja nukleare, që është familje që po individualizohen marrëdhëniet, por në raport me fëmijët është e papranueshme. Një shoqëri që nuk respekton, nuk mbron fëmijët dhe mbi të gjitha aula kryesore, familja biologjike që është, është kujdestarja më e sigurt e fëmijëve. Nuk ka kordon më të fortë se kordoni biologjik për t'i mbrojtur fëmijët. Po në kushte të tilla unë mendoj që debati që është hapur është një çikë kompleks dhe me sa duket, shumica e njerëzve janë pro e të kundra argumenteve që ka sjellë nëna apo pjestarë të tjerë, gjyshja, të cilët u përzien e përzien kazanin e problemit social të fëmijëve, e përzien keq duke futur brenda interesa individuale, kërkesa materiale, kërkesa të tjera për të justifikuar mungesën e kujdesit, mungesën e përgjegjësisë prindërore e të tjerë.

Njëherë e para njëherë nuk, në mënyrë kategorike, sjellja agresive dhe deklaratat tronditëse e nënës që unë nuk i lëshoj fëmijët, ta heqi nga mendja ajo dhe cilido në familjen shqiptare. E drejta e prindërimit është një e drejtë e cila duhet, duhet pranuar dhe duhet realizuar, duhet mbajtur si përgjegjësi. Sepse në shoqërinë tonë, një shoqëri europiane shqiptare, interesat e fëmijëve janë mbi gjithçka. Prevalojnë mbi gjithçka, mbi interesat e prindit. Ne nuk i kemi fëmijët për prindërit, pra ne nuk i kemi prindërit që të kenë ca fëmijë thjesht si produkt biologjik dhe të mos kujdesen për ta. Jo.

Në qoftë se prindërit janë neglizhentë, janë të papërshtatshëm, janë të paaftë, kanë probleme të karakterit mental, probleme sociale, të dhunës, të përdorimit të lëndëve psikotrope, pra bësh një familje e destabilizuar dhe fëmijët nuk mund të rriten në atë situatë, shteti absolutisht ka të drejtë të heqë të drejtën prindërore të kujdo qoftë. Le të hidhet përpjetë. Në emër të interesave të fëmijëve, fëmijët duhen marrë në mbrojtje të menjëhershme. Dhe për fat të mirë, ne nuk jemi në vakuum në kohën e sotshme. Ne mund të mos i kemi institucionet paraekselencë, të shkëlqyera të nivelit europian, por ne kemi një arkitekturë të plotë të shërbimeve sociale. Janë hartuar politika, ka standarte, ka institucione.

Pra, kryesorja është që fëmija, sipas gjykimit tim, duhet të rritet me doemos në familjen biologjike. Edhe njëherë po them, nuk ka vatër më të ngrohtë për për fëmijën sesa familja biologjike.

Ka probleme të brendshme, është e destrukturuar, nuk ka, nuk ofron dot parime prindërimi, nuk prindëron dot për shkak të problemeve që kanë brenda vetes së tyre, të karakterit social, financiar apo mental.

Ideja është që në kushtet, siç thashë, në qoftë se familja nuk e ka kapacitetin e nevojshëm për të garantuar interesat e larta të fëmijës, nuk e ka kapacitetin e nevojshëm për të ofruar cilësitë e nevojshme të prindërimit, atëherë do të thotë që ka institucione. Dhe në Shqipëri ka që nga viti 2000, një proces decentralizimi, i cili ka synuar që institucionet e përkujdesit social jo vetëm për fëmijë, por për të gjithë grupet në nevojë, të jenë sa më pranë dhe në varësi të pushtetit lokal, me idenë që pushteti lokal i Durrësit, i Korçës, i Shkodrës, i Tiranës, kanë më shumë mundësi që të jenë më pranë evidentimit të nevojave konkrete në mënyrë kapilare të fëmijëve, të të moshuarve apo të personave me aftësi ndryshe që janë në territorin e tyre.

Dhe për këtë qëllim, decentralizimi ka synuar që çdo bashki të ketë, të ketë një sërë institucionesh përkatëse për t'ju përgjigjur rasteve të tilla. Fjala vjen, në qoftë se ka fëmijë, ishin në këtë situatë, siç i pamë ne, dhe familja biologjike ishte në atë gjendje kur gruaja bashkë me pretenciozitetin e saj, me kërkesat për punë, për para, për nivelin e pagës, të cilat janë të natyrshme dhe është një këmbanë që së pari duhet të na vërë në vëmendje që duhet të mbështesim familjen, duhet të mbështesim, pra në një farë mënyre duhet në mënyrë kapilare të të të gjykojmë rastin, ë, situatën e rastit konkret, cilat janë arsyet. Janë arsyet e neglizhencës së prindërve apo e neglizhencës së nënës ndaj fëmijëve, është arsyeja ekonomike që ajo thotë, punoj natë e ditë dhe siguroj 400.000 lekë të vjetra, nga të cilat 300.000 paguaj qiranë, apo ka arsye të tjera, të gjitha këto duhet të vlerësohen nga pushteti vendor.

Prandaj unë them që ne, në qoftë se duam t'i shpëtojmë fëmijët që të mos i kemi në situata të tilla, së pari duhet të mbështesim familjen me politika, me mbështetje financiare.

Pra në këto rrethana, pushteti vendor nuk mund të luajë me moralin e strucit të thotë që po, erdhi këtu, ne i thamë, ajo na tha dhe ne s'i thamë, po kështu dhe po ashtu. Këto janë, këto janë veprime burokratike. Shikoni, problemet sociale nuk zgjidhen me burokraci dhe institucionet e përkujdesit social nëpër bashki, një pjesë e tyre janë shndërruar në, në institucione burokratike zyrtaresh që në një farë mënyre bëjnë veprime të thjeshta, domethënë tamam për të larë duart si Ponc Pilati, pa mbajtur përgjegjësitë e duhura. Kurse ajo që kërkohet është që në çdo rrethanë konkrete, çdo rast konkret duhet të gjejë zgjidhjen konkrete. Në qoftë se këta fëmijë kanë, ta zëmë, po e, po e marr me hamendje, kanë një nënë e cila nuk e ka kapacitetin ose nuk e ka përgjegjshmërinë e duhur për të rritur fëmijët, atëherë këta fëmijë duhen çuar diku.

Ku? Në një familje kujdestare. Kush mund të jetë familja kujdestare? Mund t'i marri gjyshja e tij e tij dhe kundrejt një pagese që i takon të marri gjyshja, të kujdeset në mënyrë provizore. Nuk e merr gjyshja se s'ka mundësi.

Patjetër, për probleme ekonomike prandaj duhet mbështetur. Në qoftë se ky është problemi, diagnostikimi i kësaj çështje duhet bërë në vend. Pra duhet parë, në qoftë se problemi që ka sjellë atë situatë është faktori ekonomik, megjithatë, të them të vërtetën, në atë gjendje që e pashë atë shtëpi, tani ajo nuk është fjala për gjendje ekonomike, se po t'i shikoje ambalazhet e asaj shtëpie ishin me një bollëk kolosal. Të gjitha llojet e kartonave, të gjitha llojet e ambalazheve që konsumoheshin, po aty s'kishte higjienë, s'kishte ujin, nuk kishte, pra janë bashkuar bashkë faktorët ekonomikë me faktorët e përkujdesit social nga nëna.

Të dyja anët duhet të parë nga të dy anët e medaljes. Pra, e kam fjalën këtu që në qoftë se bie fjala, ka probleme me strehimin, atëherë pushteti vendor duhet t'i zgjidhi këto problemet e strehimit social për këtë nënë. Në qoftë se ka nevojë për shelltëra, që sepse mund të jetë një nënë në një rast tjetër që është, qëndron bashkë me burrin e divorcuar dhe imagjinoni divorci për fat të keq është po shkarkohet gjithnjë dhe më shumë, mbi fëmijët. Traumat që po pësojnë fëmijët nga familja e divorcuar, studimet psikologjike po tregojnë që fëmijët në familjet e divorcuara kanë probleme dhe duan një mbështetje shumë të madhe. Së pari duan një përgjegjësi të prindërimit. Mua më vjen shumë keq që në shoqërinë shqiptare, po e theksoj dhe njëherë, që njerëzit edhe mund të divorcohen, po prindër ata nuk mund të ndahen. Mund të ndahen si bashkëshortë, por jo si prindër.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco