Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave që lidhen me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), si dhe të plotfuqishmërisë së vendimeve që mund të rrjedhin nga këto ankesa.
Sipas KQZ-së, vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave dhe zbatimit të vendimeve eventuale, Komisioni do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese.
“Ankesat mund të parashtrohen fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas çështjet mund të procedohen në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë vendimet përfundimtare të këtyre institucioneve, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve,” ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së për mediat kosovare.
© SYRI.net