Vërshimet në Kosovë mbahen nën kontroll, disa zona me vështirësi

Vërshimet në Kosovë mbahen nën kontroll, disa zona me vështirësi

22:01, 10/01/2026

Situata me vërshime në Kosovë gjatë ditës së sotme paraqitet e menaxhueshme, por me probleme të theksuara në disa rajone, kryesisht për shkak të reshjeve të shiut dhe borës. Kështu bën të ditur Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në raportin e saj për periudhën 10 janar 2026, nga ora 08:00 deri në 16:00.

Në rajonin e Prishtinës janë raportuar vërshime të lokalizuara në disa komuna, si Prishtina, Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Shtimja dhe Graçanica. Problemet janë shkaktuar kryesisht nga bllokimi i kanalizimeve, duke sjellë depërtime uji në oborre, bodrume dhe disa shtëpi banimi. Nuk ka pasur evakuime.

Në rajonin e Prizrenit janë vërejtur rrugë dhe ura të vërshuara, si dhe shembje dheu në Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash. Disa segmente rrugore janë përkohësisht të pakalueshme, ndërsa rrugët kryesore po monitorohen vazhdimisht.

Rajoni i Mitrovicës raportohet i qetë, pa rrezik të drejtpërdrejtë. Janë kryer intervenime për largimin e ujit, me fokus të veçantë në QKMF Mitrovicë. Në terren ka dalë edhe udhëheqja e AME-së së bashku me autoritetet komunale.

Në rajonin e Pejës janë evidentuar disa bllokime të kanalizimeve dhe rrezik për vërshime. Në rrugën Pejë–Rugovë ka ujë në disa segmente dhe qytetarët këshillohen për kujdes gjatë qarkullimit.

Situata në rajonin e Gjakovës është stabile, me rënie të nivelit të lumenjve. Është raportuar një bllokim rruge si pasojë e shembjes së dheut.

Në rajonin e Gjilanit ka pasur vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu. Niveli i lumenjve është rritur, por pa dalje nga shtrati.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent njofton se kërkesat urgjente nga KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh janë realizuar. Koordinimi me institucionet lokale dhe infrastrukturën kritike po vazhdon 24 orë në ditë.

AME vlerëson se ka përshkallëzim lokal të vërshimeve dhe vështirësi për qytetarët, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Qytetarët ftohen të raportojnë çdo rrezik përmes numrave emergjentë 112, 193 dhe 192.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në kuadër të MPB-së, mbetet në gatishmëri të plotë 24/7 për të garantuar sigurinë e qytetarëve.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco