Arrestimi i ish-drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, në kuadër të një aksioni të gjerë policor të urdhëruar nga Prokuroria e Prizrenit, lidhet drejtpërdrejt me dyshime serioze për keqpërdorim masiv financiar dhe pagesa të pajustifikuara që kapin vlerën mbi 1 milion euro gjatë kohës sa ai ishte në krye të institucionit.
Hetimi penal është iniciuar pas raportimeve dhe kallëzimeve të bazuara në një raport të Auditimit të Brendshëm të BKS-së. Sipas këtij raporti, gjatë viteve 2022–2023, periudhë që përkon me drejtimin e Mazrekut, janë kryer 166 pagesa nga llogaritë e BKS-së pa kaluar nëpër procedurat standarde ligjore dhe jashtë sistemit zyrtar të dëmeve.
Raporti i auditimit konstaton se 1,043,284 euro janë shpërndarë për kompensim dëmesh, mirëpo për shumicën dërrmuese të rasteve mungon dokumentacioni bazë ligjor, përfshirë raportet e Policisë së Kosovës për aksidentet. Po ashtu, nuk ekzistojnë vendime të komisionit të dëmeve, raporte ekspertize apo evidencë në databazën zyrtare të BKS-së që do t’i justifikonin këto pagesa.
Auditimi i ka klasifikuar këto shpenzime si “Rrezik i Lartë”, duke theksuar se nuk mund të përcaktohet nëse fondet janë përdorur për dëme reale apo për qëllime të tjera, çka hap dyshime serioze për abuzim financiar dhe shpëlarje parash.
Gjetjet tregojnë se mjetet janë shpërndarë tek 43 individë dhe një subjekt juridik, të cilët figurojnë si përfitues të pagesave, ndonëse nuk kanë paraqitur asnjëherë kërkesa zyrtare për dëm në sistemin e BKS-së. Menaxhmenti i institucionit, në komentet zyrtare në raportin e auditimit, ka pranuar se Departamenti i Financave nuk ka pranuar urdhërpagesa zyrtare dhe se pagesat janë kryer jashtë mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Raporti dokumenton edhe raste të kompensimeve të dyfishta, ku për të njëjtin aksident BKS ka paguar njëkohësisht palën e dëmtuar dhe kompaninë e huaj të sigurimit. Gjithashtu, janë evidentuar raste kur përgjegjësia është ndryshuar nga 50 për qind në 100 për qind pa asnjë ekspertizë shtesë, duke rritur artificialisht shumën e dëmit.
Këto gjetje kanë shtyrë organet e BKS-së që rasti të dërgohet për hetim penal, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës më herët e kishte përjashtuar Sami Mazrekun nga industria e sigurimeve për një periudhë pesëvjeçare.
Prokuroria e Prizrenit dyshohet se ka gjetur elemente të mjaftueshme për zgjerimin e hetimit, i cili tashmë përfshin rreth 40 persona si të dyshuar.
Arrestimi i Mazrekut shihet si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij procesi hetimor, që buron nga dyshimet për keqmenaxhim, pagesa të paautorizuara dhe shkelje të rënda ligjore brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
© SYRI.net