Albin Kurti bëhet “baba i Kosovës”, kalon 400 mijë vota dhe thellon fitoren e Vetëvendosjes

Albin Kurti bëhet “baba i Kosovës”, kalon 400 mijë vota dhe thellon fitoren e Vetëvendosjes

09:30, 08/01/2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë votash sipas numërimeve të fundit, duke u bërë politikani më i votuar në Kosovë. Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) më 08.01.2026, në orën 08:25, Kurti ka grumbulluar gjithsej 401,241 vota.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 51 për qind të votave, apo 484,049 vota nga gjithsej 2,836 vendvotime, që përbëjnë 100 për qind të tyre.

Pas LVV-së, renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.24 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13.26 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.50 për qind të votave.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje siguron 57 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6, ndërsa komunitetet joshumicë përfaqësohen me 20 ulëse.

KQZ njofton se ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).

Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03 për qind, apo 900,330 votues nga gjithsej 1,999,204 qytetarë të regjistruar në Listën Votuese.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës ishte 1,999,204, ndërsa 77,086 qytetarë ishin të regjistruar për të votuar jashtë vendit.

Procesi zgjedhor brenda Kosovës u zhvillua në 948 qendra votimi, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votim të rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për votim me kusht.

Votimi në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete u mbajt më 27 dhjetor. Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. Sipas KQZ-së, të drejtë vote patën 19,187 votues të regjistruar në këto përfaqësi diplomatike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpërndarë Kuvendin më 20 nëntor 2025, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë qeverinë edhe pse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 9 shkurt 2025. Ajo kishte shpallur datën 28 dhjetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të dhënat e detajuara të numërimit mund të qasen në vegëzën zyrtare të KQZ-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco