Vërshimet në Kosovë nën kontroll, disa zona ende me probleme lokale

Vërshimet në Kosovë nën kontroll, disa zona ende me probleme lokale

22:00, 07/01/2026 Nga Albionë Zhitia

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka bërë të ditur për Syri.net se situata e përgjithshme me vërshime në vend paraqitet kryesisht e menaxhueshme, me përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve. Megjithatë, disa komuna vazhdojnë të përballen me probleme lokale, ndërsa ekipet emergjente mbeten në terren.

Në rajonin e Prishtinës, në Drenas është raportuar vërshim i rrugës pranë Stacionit të Autobusëve, por qarkullimi vazhdon të jetë i mundur.

Rajoni i Prizrenit paraqet situatën më të ndjeshme. Në Prizren janë realizuar intervenime në fshatin Piranë për largimin e ujit nga bodrumet e tri shtëpive, ndërsa në fshatin Krajk një automjet ka mbetur i ngujuar në ujë dhe ekipet po punojnë për shpëtim. Sipërfaqe të mëdha toke pjellore me sera përgjatë rrjedhës së Drinit janë të përmbytura. Në Rahovec, në fshatin Xërxë ka pasur depërtim uji në bodrume. Në Dragash janë raportuar vërshime në fshatin Bresanë, ku është prekur kati i parë i disa shtëpive, si dhe probleme me pusetat në fshatin Kosavë.

Në rajonin e Mitrovicës, qarkullimi është vështirësuar afër Tunelit Interplast për shkak të daljes së lumit Sitnica nga shtrati, ndërsa është shënuar edhe rrëshqitje dheu në zonën e minierës Trepça. Furnizimi me ujë të pijshëm vazhdon në tri pika statike. Në Vushtrri, Sitnica ka dalë nga shtrati duke shkaktuar vërshime në fshatrat Gllovotin, Mihaliq, Prelluzhë dhe Sllatinë, ku Njësitë Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit janë në terren 24 orë.

Rajoni i Pejës raportohet kryesisht i qetë. Në Pejë është bërë një intervenim në Palestrën “Karagaç” për të parandaluar hyrjen e ujit. Në Istog janë realizuar tri intervenime për largimin e ujit nga bodrumet në Lubozhdë, Zallq dhe Gurakoc. Në Deçan ka pasur një intervenim në fshatin Lloqan, ndërsa në Klinë është larguar uji në Fabrikën e Farërave. Në Junik situata është e qetë, por rruga Junik–Jasiq mbetet e bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Në rajonin e Gjakovës dhe atë të Gjilanit, gjendja paraqitet e qetë dhe stabile, me nivele të lumenjve në rënie.

Agjencia ka njoftuar se, me kërkesë të KEK sh.a., kapacitetet e pompimit janë në gatishmëri të plotë për largimin e ujit dhe kjo gjendje do të vazhdojë edhe në 24 orët e ardhshme, me aprovimin e AME.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut pritet të vazhdojnë deri në orët e vona në Kosovën Qendrore dhe Dukagjin, ndërsa pas mesnatës priten reshje bore. Kjo pritet të ndikojë në uljen e niveleve të lumenjve, por kritike mbetet rrjedha e poshtme e Drinit të Bardhë.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të raportojnë çdo rrezik në numrin emergjent 112, të shmangin lëvizjen në zonat e vërshuara, të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco