Në procesin e numërimit të votave me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, tashmë janë përpunuar 138 nga 145 vendvotime, ose 95.17% e totalit që kanë mbërritur në QNR, meqë ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3 mijë 185 pako me fletëvotime të tërhequra nga kutitë postare në disa shtete.
Nga rezultatet e deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 72.75% të votave, ose 29,211 vota.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.23%, respektivisht 4,109 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 8.96% të votave, ose 3,598 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) renditet e katërta me 3.93%, ose 1,580 vota.
Siç ka njoftuar KQZ, në këtë fazë po përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar 2026, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas KQZ-së, më 2 janar janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime nga tetë kuti postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanberra dhe Kopenhagë. Ndërkaq, më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Lubjanë, Romë dhe Prishtinë.
Nga KQZ-ja thuhet se pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit dhe vlerësimit. Deri më tani, rreth 16 mijë pako me fletëvotime janë aprovuar dhe janë duke u numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Megjithatë, ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime të tërhequra nga kutitë postare në disa shtete. Sipas të dhënave, këto pako janë nga Parisi (1,962), Berlini (633), Haga (61), Podgorica (125) dhe Otava (404).
© SYRI.net