Drizan Shala ngre shqetësime për neutralitetin e KFOR-it pas një manifestimi me narrativë nacionaliste serbe
Eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, ka reaguar publikisht përmes një shkrimi në Facebook lidhur me praninë e pjesëtarëve të KFOR-it italian në një aktivitet festiv në dhjetor 2025, ku është kënduar një këngë me përmbajtje të theksuar nacionaliste dhe territoriale serbe për Kosovën.
Sipas Shalës, ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi neutralitetin statusor të KFOR-it, perceptimin e paanshmërisë së misionit dhe ndikimin që ngjarje të tilla mund të kenë në një shoqëri multietnike dhe post-konfliktuale si Kosova. Ai thekson se elementet kulturore dhe fetare po përdoren gjithnjë e më shpesh si pjesë e presionit politik dhe psikologjik, duke cenuar stabilitetin dhe besimin e qytetarëve.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Drizan Shalës.
⛔️ Neutraliteti i KFOR-it në provë: prania ushtarake në një manifestim me narrativë nacionale serbe për Kosovën (dhjetor 2025)
Në muajin dhjetor 2025, gjatë një aktiviteti festiv të lidhur me manifestimet e Krishtlindjeve, është kënduar kënga “Oj Kosovo, Kosovo – kosovska narodna”, një këngë me përmbajtje të qartë nacionaliste, historike dhe territoriale serbe, e cila e paraqet Kosovën si “tokë të shenjtë serbe”, duke iu referuar drejtpërdrejt figurave si Lazari, Milloshi, si dhe simbolikës së Gazimestanit dhe Vidovdanit.
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it italian, gjë që krijon implikime serioze politike, operative dhe perceptuese, pasi KFOR-i ka mandat strikt për neutralitet statusor, stabilitet dhe mosfavorizim të asnjë narrative etno-politike në Kosovë.
Kënga, në përmbajtjen e saj, konteston drejtpërdrejt realitetin kushtetues dhe juridik të Kosovës, promovon narrativë revizioniste dhe përbën element të luftës hibride kulturore dhe psikologjike, veçanërisht në një ambient multietnik dhe post-konfliktual.
❗️ Pyetje për Komandantin e KFOR-it
✅️ Pyetje bazë
A ka qenë KFOR-i i informuar paraprakisht për përmbajtjen dhe motivin ideologjik të këngës që do të këndohej gjatë këtij aktiviteti?
A kanë qenë të vetëdijshëm pjesëtarët e KFOR-it, konkretisht ata italianë, se kënga përmban mesazhe politike dhe territoriale që e paraqesin Kosovën si “tokë serbe”?
Si e vlerëson KFOR-i përmbajtjen e kësaj kënge në raport me mandatin e tij për neutralitet dhe paanshmëri statusore?
✅️ Pyetje substanciale (mandat, perceptim dhe siguri)
A konsideron KFOR-i se prania e trupave të tij në një aktivitet ku këndohet një këngë e tillë mund të perceptohet si legjitimim ose tolerim i një narrative nacionaliste serbe?
Si ndikon një situatë e tillë në besimin e komunitetit shumicë shqiptar ndaj paanshmërisë së KFOR-it si garantues i sigurisë?
A ekzistojnë udhëzime të brendshme operative që ndalojnë pjesëmarrjen e trupave të KFOR-it në aktivitete ku promovohen mesazhe politike, historike ose territoriale të njëanshme? Nëse po, pse nuk janë zbatuar në këtë rast?
✅️ Pyetje strategjike (luftë hibride dhe stabilitet)
A e konsideron KFOR-i këtë rast si pjesë të një modeli më të gjerë të përdorimit të elementeve kulturore dhe fetare në funksion të presionit politik dhe psikologjik në Kosovë?
Si i adreson KFOR-i rreziqet e instrumentalizimit të festave fetare për qëllime politike dhe destabilizuese, veçanërisht në zonat me ndjeshmëri të lartë etnike?
A është analizuar ky incident nga këndvështrimi i luftës hibride dhe ndikimit informativ që synon të minojë rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës?
✅️ Pyetje kritike (përgjegjësi dhe masa korrigjuese)
Çfarë masash konkrete do të ndërmarrë KFOR-i për të garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen?
A do të ketë hetim të brendshëm ose vlerësim disiplinor lidhur me këtë rast?
✅️ Pyetje finale – politike dhe simbolike
A e kupton KFOR-i se tolerimi i këngëve të tilla në prani të trupave të tij mund të perceptohet si mesazh politik në një rajon ende të brishtë nga pikëpamja e sigurisë?
Nëse një këngë me përmbajtje të ngjashme, por nga një narrativë tjetër etnike, do të këndohej në prani të KFOR-it, a do të reagonte misioni njësoj?
© SYRI.net