Reshjet e vazhdueshme dhe intensive të shiut kanë shkaktuar vërshime në mbarë territorin e Kosovës, duke përmbytur dhjetëra shtëpi dhe biznese, si dhe duke detyruar autoritetet lokale të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në dy komuna.
Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe procesi i nisjes së mësimit, i cili do të fillojë më 12 janar.
jë nga zonat më të prekura është Komuna e Rahovecit, ku niveli i ujit ka depërtuar në banesa dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në fshatin Fortesë, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së qytetarit Fatmir Popaj, duke shkatërruar pothuajse të gjitha pajisjet shtëpiake.
“Vërshimet kanë nisur herët në mëngjes dhe uji hyri menjëherë në shtëpi. Askush nuk erdhi të na shohë. Nga mëngjesi deri rreth orës 14:00 kemi qenë vetëm duke pastruar, por frikësohemi se uji mund të rikthehet sërish”, ka deklaruar Popaj.
Ndërkohë, njësitë e zjarrfikësve dhe ekipet e mbrojtjes civile kanë ndërhyrë në disa zona, duke ndihmuar në evakuimin e qytetarëve dhe largimin e ujit nga objektet e përmbytura.
Qeveria pritet që gjatë ditës të bëjë një vlerësim të dëmeve dhe të shqyrtojë nevojën për fonde emergjente për komunat e prekura.
Situata mbetet kritike në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit dhe Anamoravës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se reshjet e shiut mund të vazhdojnë edhe në orët në vijim.
Rajonet më të prekura vazhdojnë të jenë Fushë-Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova, ku janë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara, ndërsa në Gjakovë është kërkuar edhe evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.
Në komunat e tjera, gjendja vlerësohet relativisht e qetë dhe stabile, por nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.
Për situatën e krijuar me vërshime kanë reaguar të martën përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive deri tash në opozitë.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.
“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore”.
Nga Partia Demokratike (PDK) u kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që ta marrin përgjegjësinë e plotë, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë në menaxhim të situatës emergjente.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes.
© SYRI.net