Albin Kurti, LVV
Diaspora, faktor i rëndësishëm në fitoren e LVV-së – njohësit ndajnë pikëpamje të ndryshme
Roli i diasporës në proceset zgjedhore të Kosovës ka ardhur duke u rritur ndër vite, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm politik. Kjo u reflektua qartë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) shënoi një rezultat jashtëzakonisht të lartë në votimin jashtë vendit, veçanërisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, LVV-ja siguroi gjithsej 13,899 vota nga diaspora, që përbëjnë 86.74% të votave të hedhura jashtë vendit. Ky rezultat e konfirmon mbështetjen e fuqishme të mërgatës për këtë parti, duke e bërë diasporën një nga shtyllat kryesore të suksesit elektoral të LVV-së.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo mbështetje nuk përfaqëson vetëm një numër votash, por edhe një indikator të qartë të besimit politik, mobilizimit strategjik dhe ndikimit të politikave që lidhen me diasporën.
Gacaferi: Diaspora voton nga bindja, jo nga interesi
Anëtari i Listës Guxo, Luan Gacaferi, vlerëson se diaspora është bastioni më i madh i LVV-së dhe partnerëve të saj politikë.
“Pa asnjë dyshim, diaspora është dhe mbetet bastioni më i madh i Vetëvendosjes dhe Guxo”, u shpreh ai.
Sipas Gacaferit, mërgata voton nga bindja politike dhe jo nga interesa personale apo pushteti.
“Diaspora voton 100% nga bindja, sepse nuk ka asnjë interes tjetër përveç interesit për shtetin. Për sa kohë këto parti punojnë për shtet e jo për xhep, diaspora do t’i mbështesë fuqishëm”, theksoi ai.
Qarri: Bastioni kryesor i LVV-së mbetet Kosova
Ndryshe nga kjo qasje, analisti politik Gani Qarri vlerëson se, ndonëse diaspora ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, bastioni kryesor i LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti mbetet elektorati brenda Kosovës.
Ai kujtoi se Kurti theu rekorde historike, duke marrë mbi 385 mijë vota, ndërsa LVV-ja arriti rreth 50–51% të votave në nivel kombëtar.
“Fitorja e Kurtit nuk është produkt i diasporës, por i votuesit rezident dhe qytetarëve të Kosovës, të cilët ndëshkuan opozitën për bllokadën institucionale, mosvotimin e buxhetit dhe pengimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, u shpreh Qarri.
Sipas tij, votat e diasporës – ndonëse përqindje e lartë në ambasada – numerikisht nuk janë përcaktuese për rezultatin final.
“13,899 vota nga diaspora, sado të rëndësishme politikisht, janë vetëm një pikë uji në oqean krahasuar me trupën e përgjithshme të votuesve në Kosovë”, theksoi ai.
Qarri vlerësoi gjithashtu se qytetarët e ndëshkuan opozitën për gjuhën fyese, bllokadën mbi nëntë mujore dhe përplasjet politike, duke i dhënë Kurtit dhe LVV-së një fitore që ai e cilësoi si “spektakolare”.
Zgjedhje të qeta dhe shembull demokratik
Në fund, Qarri përgëzoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit u zhvilluan në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa incidente, duke dhënë një shembull pozitiv për rajonin.
© SYRI.net