Profesori i gjeopolitikës dhe hulumtuesi në Octopus, Gurakuç Kuçi, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, duke thënë se Rezoluta 1244 nuk funksionon më si bazë juridike për Kosovën dhe se ky realitet tashmë po pranohet edhe nga Serbia.
Kuçi shkruan se që nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është e qartë se pavarësia e Kosovës nuk shkel as të drejtën ndërkombëtare dhe as vetë Rezolutën 1244. Sipas tij, ky proces u nis ironikisht nga vetë Serbia dhe sot po pranohet edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, por jo me reflektim serioz, por me qasje politike dhe cinike.
Në shkrimin e tij, Kuçi thekson se Beogradi për vite e ka përdorur Rezolutën 1244 si mbulesë për narrativa të rrezikshme, përfshirë idenë e rikthimit të ushtrisë serbe në Kosovë, në frymën e veprimeve ruse në Gjeorgji dhe Ukrainë. Ai shton se kjo narrativë, e shtyrë nga Moska, është refuzuar qartë nga Perëndimi.
Duke cituar deklarimet e zyrtarëve perëndimorë, Kuçi përmend se Rezoluta 1244 hapi vetëm një proces politik, i cili u zhvillua dhe përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, faktet janë të qarta. Rezoluta 1244 ishte një kornizë kalimtare pas vitit 1999. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konfirmuar ligjshmërinë e pavarësisë. OKB e ka vulosur këtë realitet me Rezolutën A/RES/64/298. Ndërsa Kosova vepron hapur, Serbia vazhdon të mbajë gjallë narrativa artificiale.
Në fund të shkrimit, Kuçi ngrit pyetjen se nëse edhe Vuçiq e pranon rënien e Rezolutës 1244, atëherë çfarë po përgatit Serbia tani ndaj Kosovës dhe a po lexohet me kohë kjo qasje.
© SYRI.net