Partia Demokratike akuzon mazhorancën socialiste për bllokim të qëllimshëm dhe të paprecedentë të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të ministres Belinda Balluku.
Përfaqësuesi ligjori PD-së, Franc Nuri, i ftuar në KAFE SHQETO në SYRI TV deklaroi se mazhoranca po injoron kërkesat e opozitës për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke shkelur hapur rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.
Sipas Nurit, opozita ka depozituar disa herë kërkesa zyrtare për të vazhduar mbledhjen e këshillit, e cila u ndërpre në mënyrë “absurde, antikushtetuese dhe antiligjore”. Ai thekson se kryetarja e Kuvendit po injoron plotësisht këto kërkesa, ndonëse rregullorja parashikon qartë se gjysma e anëtarëve të opozitës kanë të drejtë të kërkojnë mbledhjen e komisionit. Madje, edhe mbledhja e thirrur së fundmi nuk figuron në kalendarin zyrtar të punimeve të Kuvendit, çka tregon një përpjekje për të zvarritur procesin në mënyrë të pacaktuar. Kjo situatë cilësohet si një “tallje me SPAK-un” dhe një rast i paprecedentë në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
“Është hera e parë që një kërkesë e prokurorisë për heqjen e imunitetit të një deputeti apo ministri zvarritet në këtë mënyrë,” u shpreh Nuri.
Ai e krahasoi situatën me rastin “Tahiri”, ku pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për të fituar kohë, procesi nuk u bllokua totalisht. Arsyetimi i mazhorancës se mbrojtjes i duhet kohë për t'u njohur me “dosjen voluminoze” konsiderohet si një pretekst, pasi Kuvendi nuk ka caktuar asnjë afat konkret se kur do të rimerret në shqyrtim kërkesa. Kjo paqartësi totale, sipas opozitës, jo vetëm që bllokon punën e drejtësisë, por edhe shkel rëndë parimet bazë të funksionimit të shtetit ligjor, duke krijuar një ngërç institucional me pasoja të rënda për llogaridhënien politike.
Nuri:
Atëherë, siç jeni në dijeni, janë depozituar një sërë kërkesash nga grupi parlamentar dhe nga deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që të mblidhet dhe të vazhdojë mbledhja faktikisht e ndërprerë në mënyrë absurde, antikushtetuese, antiligjore, mbledhja e Këshillit të mandateve dhe imuniteteve që duhet të vendoste mbi kërkesën e SPAK-ut për lejimin e ndryshimit të masës dhe lejimin e arrestimit pra, të zonjës Balluku, ashtu sikundër e kërkoi dhe SPAK-u mbështetur mbi një mori provash të depozituara dhe të paraqitura ndaj deputetëve që janë pjesë e këtij komisioni.
Partia Demokratike ka depozituar disa herë kërkesa që kjo mbledhje të vazhdojë, sikundër e parashikon dhe rregullorja e Kuvendit, gjysma e anëtarëve të opozitës kanë të drejtë, që ta kërkojnë një mbledhje të tillë dhe normalisht mbledhja duhet të mblidhet, por në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit e injoron këtë kërkesë dhe administrata e Kuvendit, madje po ta shikoni dhe sot është thirrur një mbledhje e tillë, përsëri, dhe po ta shikoni në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, nuk është parashikuar fare në kalendarin e punimeve një mbledhje e tillë.
Pra, injorohet totalisht jo vetëm një kërkesë e opozitës, por është rregullorja e Kuvendit që shkelet me të dyja këmbët dhe pse jo dhe Kushtetuta, sepse tek e fundit këtu nuk është një tallje ndaj qytetarëve shqiptarë në vlerësimin dhe gjykimin tim, nuk është një tallje ndaj kërkesave të opozitës. Këtu po tallen dhe me SPAK-un. Sepse është hera e parë, hera e parë që ndodh, nuk ka, është e paprecedentë, që një kërkesë e ardhur nga prokuroria për heqjen e imunitetit të një deputeti apo të një ministri, cilado qoftë ajo, apo ai, të zvarritet në këtë farë feje. Nuk ka ndodhur kurrë.
Edhe me rastin Tahiri, kur u përpoq mazhoranca socialiste me çdo lloj mënyre që të fitonte pak kohë përpara po themi kontrollit të banesës e tjerë e tjerë, arritën të fitonin disa ditë me një mbrojtje që u bë në një farë mënyre një gjyq teatral në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhe nga një kërkesë fare formale siç është realisht ku duhet të shqyrtohen vetëm elementët formal.
Pra, a është kërkesa e paraqitur në mënyrë të rregullt nga prokuroria? A ekzistojnë disa fakte dhe disa indicie? A personi ndaj të cilit kërkohet heqja e imunitetit është apo jo deputet dhe kaq mjafton që t'i jepet pastaj visto dhe kjo të kalojë në seancë plenare, mazhoranca e kthen pastaj në një gjyq të mirëfilltë dhe këtu po kapet me teknikalitete që nuk ekzistojnë faktikisht, kur pretendohet se duhet t'i jepet kohë e mjaftueshme mbrojtjes apo dhe zonjës Balluku në vetvete për t'u njohur me dosjen voluminoze. Ndërkohë, kjo që është e paprecedentë është se nuk ke caktuar një afat.
Pra Kuvendi nuk ka caktuar një afat, sa ditë, sa javë do t'i jepen në dispozicion ëh mbrojtjes së zonjës Balluku, në mënyrë që të gjithë ta dinë se kur do të vijojë kjo mbledhje dhe kur do të vazhdojë seanca. Kur do miratohet apo do refuzohet kërkesa e SPAK-ut për lejimin e arrestimit të zonjës Balluku. Pra, jemi në një paqartësi totale dhe kjo është një sjellje e paprecedentë.
© SYRI.net