Një element i ri nga dosja hetimore e SPAK-ut ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, është bërë publik, duke u fokusuar tek privatizimi i banesës së familjes Berisha në vitet 1992-1993.
I ftuar në SYRI TV me Arnold Karriqin, avokati i çështjes, Genc Gjokutaj e ka cilësuar këtë veprim si një “dashakeqësi dhe poshtërsi” të prokurorisë, duke argumentuar se po tentohet të kriminalizohet një akt tërësisht i ligjshëm, i cili u zbatua për të gjithë qytetarët shqiptarë në atë kohë.
Sipas Gjokutaj, informacioni i paraqitur nuk është një “provë e re”, por një pasazh i shkëputur nga njoftimi i akuzës, i cili është keqinterpretuar me qëllim. Në këtë pasazh, SPAK pretendon se pas zgjedhjes së Sali Berishës si President i Republikës, vajza e tij, Argita Berisha (Malltezi), dhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi, shfaqën “synime pasurore” duke privatizuar apartamentin ku jetonte familja.
Avokati e kundërshton ashpër këtë narrativë, duke sqaruar se privatizimi ishte rezultat i ligjit të miratuar në fillim të viteve ‘90, që u mundësoi të gjithë shqiptarëve të blinin banesat shtetërore ku jetonin me qira.
Gjithashtu Gjokutaj akuzon SPAK-un për motive politike dhe mungesë të plotë të faktit penal.
Sipas avokatit, hetimi nuk synon zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një akuze pa bazë.
Gjokutaj: Nuk e di pse është krijuar një perceptim që kjo është një provë e re. Kjo është një dashakeqësi që ne e kemi e kemi anonçuar, është një poshtërsi e re, domethënë e bërë publike, se ajo ka qenë në dosje, as më shumë dhe as më pak, ajo që zoti Berisha citoi, po ua sqaroj dhe njëherë,
Është marrë nga njoftimi i akuzës që i është bërë zotit Berisha. Dhe po ta lexoni, aty, ne e kemi thënë që në krye të herës që në çështjen Berisha mungon fakti penal, pra nuk ka vepër penale, jo më të ketë procese dhe të pandehur në të. E megjithatë SPAK-u vazhdon në këtë ulli. Kjo është pjesë e njoftimit të akuzës dhe as më shumë dhe as më pak flet që çifti Malltezi, pra Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha, që në vitin '92-'93 kanë paraqitur, kanë treguar thotë, synimet e tyre pasurore, duke privatizuar thotë një banesë, banesa që ka pasur zoti Berisha me gjithë fëmijët, me familjen, tek rruga Prokop Mima Zeqari, ku i bie afër Shkëmbi Rraka, shkolla Jeronim De Rada. Dhe si të gjithë shqiptarët, në bazë të ligjit, banesat shtetërore u privatizuan. Dhe sipas përbërjes familjare, kur fëmija është mbi 18 vjeç, edhe fëmija hyn në këtë, pjesën e privatizimit. Dhe as më shumë dhe as më pak, zonja Malltezi, zonja Berisha në atë kohë, ka përfituar 1/3 e shtëpisë, siç ka përfituar zoti Berisha dhe djali. Pra, me mbushjen e moshës 18 vjeç ka qenë subjekt i privatizimit. Kjo ka ndodhur për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, kush dispononte banesa shtetërore, pa përjashtim.
Karriqi: Parafabrikati e të tjera, për ta kuptuar më tepër qytetarët, që shumë prej tyre sot i kanë pronat e veta falë atij ligji.
Gjokutaj: Pikërisht, shtëpitë shtetërore që ishin me qira, dhënë nga, nga ndërmarrja Banesa, pra Enti i Banesave, këto të gjitha u privatizuan. Në bazë të një ligji që nxori qeveria atëherë dhe u privatizuan, bile u privatizuan me çmime qesharake dhe për kohën, atëherë, jo më ta llogarisësh sot. Dhe këtë SPAK-u synon ta paraqesë si një privatizim i cili është bërë pasi thotë SPAK-u, është në pikën 393 të njoftimit të akuzës, se i ka ndarë me rubrika, pra mbasi ishte zgjedhur babai i Argita Berishës president i Republikës, ata thotë kanë shfaqur synime pasurore dhe e kanë privatizuar, ndonëse pranon që kjo është deklaruar në... është e kotë të vazhdojmë këtë punë, sepse të shkruash në aktin e njoftimit të akuzës një akt të ligjshëm, një përfitim, një përfitim pronësie jo me blerje, jo me dhurim, por të përfituar nga ligji, si të gjithë shqiptarët, kjo është një dashakeqësi dhe kjo është, kjo është një nga dashakeqësitë, sepse aty ka falsifikime në aktin e njoftimit të akuzës, atje ka, atje ka falsifikime, atje ka shpifje, gjëra të paqena, të cilat sigurisht ne i kemi denoncuar në shkrim, zoti Jamarbër Malltezi ka dërguar një letër që nga Prokurori i Përgjithshëm dhe të gjithë subjektet e tjerë, për t'i parë këto akte të paligjshme. Pra kjo nuk është një akuzë e re. Kjo është një pasazh i njoftimit të akuzës për të treguar ligjshmërinë e e akuzës, ekzistencën, mosekzistencën e saj dhe faktin se hetimi nuk është bërë për të zbardhur të vërtetën, por hetimi është bërë me një synim të qartë politik, e kupton, në mungesë të të gjitha fakteve dhe provave të një akuze, e cila është inekzistente. Këtë ne e kemi thënë, pra mungesa e faktit penal. Aty nuk ka pasur as çështje civile, as çështje administrative. Ajo çështje ka pasur zero para publike, dhe ç'është kryesorja, ky privatizim i banesës shtetërore ku ka jetuar zoti Berisha me të shoqen dhe dy fëmijët, ky privatizim është bërë në vitin '92-'93.
© SYRI.net