E përditshme italiane Il Fatto Quotidiano sjell sot në një faqe të plotë të saj një material mbi mafien shqiptare, i cili përshkruan ndryshimin e ekuilibrave në narkotrafikun ndërkombëtar, duke vendosur rrjetet kriminale shqiptare si aktorë dominues në tregun global të kokainës. Duke u mbështetur në akte hetimore të Guardia di Finanza dhe Prokurorisë së Milanos (Dosja e operacionit SkyFall), artikulli ndërton një narrativë alarmuese mbi mafien shqiptare, e cila jo vetëm që ka hyrë në nivelet e larta të trafikut, por ka tejkaluar struktura tradicionale mafioze italiane, si ’Ndrangheta.
Artikulli përshkruan një ndryshim të thellë në ekuilibrat e narkotrafikut ndërkombëtar, duke paraqitur rrjetet kriminale shqiptare si aktorë qendrorë dhe autonomë, tashmë të aftë të konkurrojnë dhe të tejkalojnë mafiet tradicionale italiane. Figura e “El Tiburonit” simbolizon këtë transformim: një lider global, i mbështetur në teknologji, financa të padukshme dhe bazë operative jashtë Europës.
Teksti nxjerr në pah globalizimin e krimit të organizuar, i cili sot funksionon si një rrjet transnacional që shfrytëzon portet europiane, sistemet klandestine financiare dhe juridiksionet e favorshme. Ai paraqet një model të ri kriminal, ku pushteti buron nga kontrolli i rrjeteve globale dhe kapitalit, duke sfiduar drejtpërdrejt aftësinë e shteteve për ta luftuar krimin me mjetet tradicionale.
“Restoranti ‘L’anima di Damasco’ ndodhet në rrugën Calle Val-tuille në Fuenlabrada, zonë industriale e Madridit. Trafikanti shqiptar Eldi H., i quajtur ‘Mekaniku’, mbërrin aty me një sedan të errët. Ai ka një takim me pronarin e lokalit, të cilin të gjithë e thërrasin El Rubio (‘Biondi’), një sirian rreth 40 vjeç që jeton në një vilë të madhe në Mirasierra, lagje luksoze e kryeqytetit spanjoll”, shkruan Il Fatto Quotidiano.
El Rubio, nga restoranti i tij, menaxhon bankën më të madhe klandestine evropiane për pastrimin dhe transferimin e parave të drogës. Ngjitja e “zotërinjve të rinj” shqiptarë të kokainës mund të nisë nga këtu, por edhe nga Milano apo Roma, nga Bournemouth në qarkun anglez Dorset, apo nga një komunë e vogël në provincën e Rietit, nga rrokaqiejt e Dubait, ose nga portet e Anversës dhe Amsterdamit. Sepse “sindikata e re e narkosëve”, me rrënjë të thella në Shqipëri, është sot një rrjet global që ka tejkaluar edhe vetë lidershipin e ’Ndranghetës.
Rocco Morabito, i quajtur “u Tamunga”, tashmë i arratisur në Brazil, pranon: “Këta shqiptarë po na kalojnë”. Ndërsa një tjetër narkos kalabrez gëzohet për lajmin e disa arrestimeve: “Kanë mbyllur 85 shqiptarë mes Ekuadorit, Dubait, Holandës dhe Gjermanisë. Le të pushojnë pak dhe të na lënë rehat”. Por pranimi më i qartë i faktit se trafikantët nga Tirana dhe rrethinat kanë kaluar kalabrezt vjen nga brokeri i Africos, Bartolo Bruzzaniti: “Shqiptarët na kanë hipur mbi kokë”.
Lideri i kësaj lidhjeje të re, sipas një shënimi shumë të rëndësishëm të Guardia di Finanza e Milanos në aktet e hetimit të fundit SkyFall të prokurorit antimafia Gianluca Prisco, sot flet pesë gjuhë dhe ka bazën operative në katin e fundit të një rrokaqieji në Dubai. E quajnë El Tiburon (“Peshkaqeni”) dhe ka lindur më 14 shkurt 1982 në Kuçovë, një qytet i vogël në jug të Shqipërisë.
Pseudonimet e tij në bisedat e koduara zbulojnë rolin drejtues, qoftë kur prezantohet si Napoleon apo si New Mafia. Për Prokurorët e Milanos, “rrezikshmëria e trafikantëve shqiptarë” paraqitet nga “subjekte me profil shumë të lartë kriminal (High Value Target), veprimet e të cilëve, në kuadër të trafikut ndërkombëtar të drogës, përbëjnë madje një rrezik për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh volumin e lëndës narkotike të tregtuar, sasinë e madhe të parave që lejon kryerjen e krimeve të tjera (nga pastrimi i parave te korrupsioni) dhe disponueshmërinë e armëve të nevojshme për të ruajtur hegjemoni në sektor”.
Në restorantin e El Rubios, ai transaksionon mbi 30 milionë euro në vit. Eldi “Mekaniku” ka ardhur për llogari të New Mafia-s, me rolin kyç të pikës së parave evropiane për hyrjen e kokainës nga Amerika e Jugut. Ai ka një banesë në rrugën Ernesto Cabruna në Fiumicino, Itali, dhe kohët e fundit është transferuar mes Anversës dhe Amsterdamit, ku jeton bashkë me dy bashkëshortë kolumbianë, përfaqësues të karteleve.
Sipas hetimeve të Guardia di Finanza, Mekaniku “përfaqëson dorën e parave të organizatës në Evropë, i ngarkuar me shitjen fillestare dhe dërgesat me kamionë TIR”. Në thelb, ai është përgjegjës për shkarkimin e drogës në portet evropiane për llogari të Tiburonit.
Napoleoni, i mbrojtur nga luksi i Dubait, është në gjendje të transaksionojë 4 tonë kokainë në më pak se një vit, sepse “ka një rrjet kontaktesh me përfaqësues të karteleve kolumbiane”, mes tyre edhe Dario Antonio Usuga, i njohur si Otoniel, kreu historik i kartelit Los Urabeños, me mbi një mijë anëtarë. Kohët e fundit, El Tiburon, falë marrëdhënieve me Otonielin, ka transaksionuar 3 tonë kokainë nga porti i Turbos në Kolumbi.
Si lidhje me prodhuesit dhe kartelet vepron një tjetër shqiptar që quhet Naci. Forca e “Peshkaqenit” qendron edhe te aftësia për të lëvizur milionat e drogës përmes një sistemi ilegal transferimi parash që e shpëton çdo gjurmimi, i organizuar nga këmbimtarë kinezë.
Oktapodi i sindikatës së re të narkosëve shtrihet nga Amerika e Jugut dhe portet evropiane deri në Itali, duke menaxhuar tregjet e Romës dhe Milanos. Për Romën është përgjegjës Marsel A., i martuar me motrën e Tiburonit, ndërsa për Milanon bashkëkombësi Erjon B., i njohur si Gigio Daku, i cili menaxhon sasitë e kokainës për tregun lokal dhe pagesat përmes sistemit ‘token’.
Nga Belgjika, Colombo, pseudonimi i një tjetër anëtari të sindikatës, mban kontaktet me grupe kriminale turke. Tito, një nga njerëzit më besnikë të Napoleon-Tiburonit, ka qenë më parë ortak i trafikantit Denis Matoshi dhe sot operon me Tiburonin, duke marrë pjesë në një dërgesë prej 2.3 tonësh kokainë nga Anglia.
Një biznes miliona eurosh, mes investitorëve të të cilit shfaqet edhe një italian i quajtur Balmain, si dhe një narkos spanjoll, i quajtur Rockefeller, të futur në kanalin e kontaktit me Klani i Gjirit.

Rrjeti sot është jashtëzakonisht i gjerë dhe për herë të parë fotografohet drejtpërdrejt nga Guardia di Finanza e Milanos përmes leximit të bisedave të koduara. Nga këto shënime del edhe një tjetër emër, ndoshta njeriu kyç i Tiburonit, që investon paratë e drogës kryesisht në veprat e artit.
Edhe ai shqiptar, i njohur si El Color, punon në Shqipëri dhe përveç gjuhës amtare flet serbisht dhe anglisht. Ai blen dhe investon në piktura me vlerë, ku riinveston fitimet e narkotrafikut përmes një kontakti në Milano, i njohur si Altion. El Color ka një agjendë të dendur kontaktesh në Milano, Romë, Greqi, Serbi, Francë, Suedi, Mal të Zi, Ekuador, Holandë, Belgjikë, Paraguaj, Uruguai dhe Mbretëri të Bashkuar.
Një tjetër figurë drejtuese e sindikatës së re është Khushoo, term islam që do të thotë përulësi, përqendrim dhe prani zemre gjatë lutjes, cilësi që ka çuar sindikatën shqiptare në majat botërore, përfundon artikulli i Il Fatto Quotidiano.
Artikulli tregon se rrjetet kriminale shqiptare sot funksionojnë si organizime transnacionale, të sofistikuara dhe të afta të sfidojnë mafiet tradicionale italiane. Figura e “El Tiburonit” simbolizon këtë model të ri: një drejtim global, i mbështetur në rrjete financiare të padukshme, teknologji të kriptuara dhe baza operative jashtë Europës.
Një aspekt veçanërisht strategjik dhe inovativ është përdorimi i veprave të artit për pastrim parash. Shqiptari i njohur si “El Color”, që jeton në Shqipëri, investon në piktura me vlerë të lartë, duke kthyer paratë e drogës në kapital legjitim dhe të lëvizshëm globalisht. Kjo tregon se rrjeti shqiptar nuk varet vetëm nga dhuna apo trafiku, por përdor instrumente financiare të sofistikuara për të ruajtur dhe zgjeruar pushtetin e tij.
Në raport me ’Ndranghetën, konflikti nuk është i hapur me armë, por garë strategjike për dominim ekonomik dhe logjistik. Kontrolli mbi tregjet, furnizimet direkte nga kartelet dhe menaxhimi i kapitalit me metoda të sofistikuara (si investimet në art) i japin rrjetit shqiptar epërsi, duke e vendosur gradualisht mbi strukturat tradicionale mafioze.
Në thelb, artikulli tregon një transformim të krimit të organizuar: pushteti nuk fitohet më vetëm me territor dhe dhunë, por me rrjete globale, fleksibilitet financiar dhe inovacion strategjik. Shqiptarët, përmes trafikut dhe investimeve në art, po krijojnë një model që tejkalon mafiet e vjetra dhe sfidon aftësinë e shtetit për t’u përballur me krimin e shekullit XXI.
/Përgatiti për Syri-n - Alba Kepi/
© SYRI.net