2026 nis gara për Presidentin/en e Kosovës

2026 nis gara për Presidentin/en e Kosovës

08:25, 03/01/2026

Viti 2026 do të jetë viti ku Kosova do të zgjedh presidentin e ri apo rizgjedhje të presidentes aktuale.

Vjosa Osmani, e cila u zgjodh presidente më 4 prill 2021, ka mbajtur këtë post për 5 vjet, post këtë që e kërkon ende.

Osmani ka shprehur gatishmëri edhe për një mandat tjetër, duke thënë se synon t’i vazhdojë punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sipas saj, punët e mira po presin dhe janë te dera për t’u vazhduar.

“Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar…”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për median vendore.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me dy të tretat e votave të 120 deputetëve në dy raundet e para të votimit. Në rast se kjo shumicë nuk sigurohet, raundi i tretë parashikon uljen e pragut në 61 vota, por vetëm nëse në sallë janë të pranishëm së paku 80 deputetë, duke e bërë kuorumin kusht të domosdoshëm për procesin.

Në bazë të përllogaritjeve me rezultatet aktuale zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Së bashku me 11 deputetë nga komunitetet jo-shumicë, të cilët LVV-ja i llogarit edhe për formimin e Qeverisë – përfshirë edhe Nenad Rashiqin nga komuniteti serb – ky bllok arrin në 67 deputetë.

Kjo nënkupton se, nëse dështojnë dy raundet e para për mungesë konsensusi, në raundin e tretë mjafton që 13 deputetë të opozitës të jenë të pranishëm në sallë, vetëm për të siguruar kuorumin prej 80 deputetësh. Në këtë skenar, shumica aktuale do ta kishte të mundur rizgjedhjen e presidentes me votat e veta.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 23 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjashtë. Deri më tani, këto subjekte nuk kanë shprehur gatishmëri për ta mbështetur rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, bazuar në deklarimet publike.

Megjithatë, kjo përbërje parlamentare mund të pësojë lëvizje minimale prej një ose dy ulësesh, pas certifikimit përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve. Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar deri tani nëntë deputetë, duke mbetur një faktor i rëndësishëm në dinamikat e ardhshme parlamentare.

"Zgjedhja e presidentit nuk është vetëm çështje numrash"

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se në aspekt kushtetues është e qartë se presidentja ka të drejtë të kandidojë edhe për një mandat të dytë.

Por, sipas tij, vendimet e tilla nuk varen vetëm nga dispozitat ligjore.

“2026 dhe dilema presidenciale: vazhdimësi apo ndryshim? Me fillimin e vitit 2026, kur përfundon mandati i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në skenën politike kanë nisur të shtrohen natyrshëm dilemat për të ardhmen e këtij institucioni. Vetë Osmani ka shprehur gatishmërinë për një mandat të dytë, duke hapur debatin nëse Kosova do të shkojë drejt vazhdimësisë apo drejt një emri të ri në krye të shtetit. Nga aspekti kushtetues, çështja është e qartë: presidentja ka të drejtë të kandidojë edhe për një mandat të dytë. Por në Kosovë, vendimet e tilla nuk varen vetëm nga dispozitat ligjore – ato përcaktohen kryesisht nga realiteti politik dhe raportet e forcave në Kuvend. Në këtë kuadër, faktori përcaktues do të jetë përbërja e ardhshme parlamentare dhe roli i Lëvizjes Vetëvendosje si forca kryesore politike në vend. Mbështetja që Osmani gëzon në elektoratin qytetar dhe raportet e qëndrueshme institucionale me Qeverinë aktuale e vendosin atë në një pozitë reale për rizgjedhje, nëse krijohet konsensusi i nevojshëm parlamentar”, deklaron Halilaj.

Osmani ka pasur një qasje të kujdesshme ndaj kushtetutës, thotë Halilaj, ndërsa në planin e brendshëm ajo është perceptuar si një zë që mbron funksionimin demokratik të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Megjithatë, zgjedhja e presidentit nuk është vetëm çështje numrash. Ajo lidhet ngushtë edhe me perceptimin publik dhe vlerësimin e mandatit aktual. Në këtë aspekt, Vjosa Osmani ka arritur të ndërtojë një profil institucional që dallon nga praktikat e së kaluarës. Gjatë mandatit të saj, ajo ka mbajtur një qasje të kujdesshme ndaj Kushtetutës, duke shmangur përfshirjen në konflikte partiake dhe duke e ruajtur rolin e presidentes si faktor stabiliteti. Në planin e brendshëm, Osmani është perceptuar si një zë që mbron funksionimin demokratik të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues. Qëndrimet e saj në çështje të ndjeshme politike kanë qenë të matura, por të qarta, duke reflektuar një përpjekje për ta forcuar besimin e qytetarëve në institucionin e Presidentes. Ndërsa në arenën ndërkombëtare, ajo ka qenë një nga përfaqësueset më aktive të Kosovës. Paraqitjet e saj në forume të rëndësishme, takimet me liderë botërorë dhe artikulimi i qartë i interesave shtetërore kanë kontribuar në rritjen e dukshmërisë së Kosovës dhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Në një kohë sfidash për politikën e jashtme të vendit, kjo përfaqësim ka qenë i rëndësishëm”, shprehet avokati.

Në fund ai shton se gjithçka varet nga zhvillimet politike në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco