NOA Energy Trade, kompani lider në tregtinë e energjisë në Evropën Juglindore, me operacione në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Bullgari, Hungari, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me informacione të pasakta të publikuara së fundmi në media dhe rrjete sociale.
Kompania i konsideron këto raportime si të pavërteta, të njëanshme dhe me synim dëmtimin e imazhit dhe besueshmërisë që ajo ka ndërtuar ndër vite. Më poshtë paraqiten pikat kryesore të sqarimeve nga NOA Energy Trade:
1. Adresa e kompanisë në Kosovë
Në disa media është paraqitur një ndërtesë që nuk përkon me zyrën e regjistruar të kompanisë në Kosovë. Zyra reale ndodhet në një ndërtesë njëkatëshe në një zonë tregtare, lehtësisht e identifikueshme dhe në përputhje të plotë me të dhënat zyrtare.
2. Keqpërdorimi i një numri telefoni
Është raportuar gabimisht se një numër i caktuar telefoni është në pronësi të kompanisë. NOA Energy Trade sqaron se ky numër nuk i përket saj dhe çdo pretendim në këtë drejtim është i rremë dhe i papërgjegjshëm.
3. Shtrembërimi i të dhënave financiare
Është keqinterpretuar një shifër financiare duke u prezantuar si fitim neto i kompanisë për vitin 2024. Në realitet, 161 milionë euro përfaqëson xhiron vjetore, jo fitimin neto. Barazimi i tyre është teknikisht i gabuar dhe deformon realitetin financiar.
4. Lidhje të pavërteta politike
NOA Energy Trade nënvizon se është një kompani plotësisht private, pa asnjë lidhje me subjekte politike apo institucione shtetërore në Kosovë apo gjetkë. Kompania operon mbi bazën e ligjshmërisë dhe transparencës.
5. Çështja e çmimeve të energjisë në Kosovë
Rritja e çmimeve të energjisë elektrike në tregun kosovar nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e NOA Energy Trade. Si pjesë e tregut të lirë, kompania nuk ka ndikim mbi formimin e çmimeve përfundimtare për konsumatorët fundorë. Çmimet pasqyrojnë ofertën dhe kërkesën në bursat ndërkombëtare të energjisë.
Pozicioni ligjor dhe angazhimi i mëtejshëm
NOA Energy Trade është e licencuar për tregti me shumicë të energjisë në Kosovë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (Licenca Nr. ZRRE/Li_80/21), dhe është taksapaguese e rregullt në Republikën e Kosovës. Kompania thekson se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur reputacionin e saj dhe nuk do të tolerojë përhapjen e dezinformatave që dëmtojnë kredibilitetin e saj.
Thirrje për media profesionale
NOA Energy Trade i bën thirrje mediave që të verifikojnë informacionin përpara publikimit dhe të respektojnë standardet bazë të gazetarisë profesionale. Kompania mbetet e hapur për çdo kërkesë zyrtare për informacion dhe është e përkushtuar ndaj transparencës dhe etikës në komunikim.
Reagimi i plotë:
© SYRI.net