Bashkimi Evropian (BE) synon të organizojë “sa më shpejt” ciklin e ri të procesit të dialogut, por akoma nuk ka datë të saktë për vazhdimin e negociatave, pavarësisht njoftimit të javës së kaluar se diskutimet veçse kanë filluar në funksion të përgatitjes së takimit të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen e javës së kaluar, derisa njoftoi për nisjen e përpjekjeve diplomatike për përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut, shtoi se dëshiron që takimi të realizohet “sa më shpejt” në Bruksel.
Ai takoi të enjten e javës së kaluar zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe njëherësh shefin e ekipit negociator, Besnik Bislimi, në Vjenë të Austrisë, por nuk janë dhënë detaje specifike për takimin e paralajmëruar. Lajçaku shkroi në platformën “X” pas takimit se “diskutoi në detaje” për zbatimin e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar.
“Një diskutim i mirë dhe i dobishëm në përgatitje të takimit të ardhshëm mes kryenegociatorëve sot në Vjenë. Ne diskutuam në detaje për zbatimin e plotë të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, shkroi mediatori sllovak i BE-së. Bislimi, nga ana tjetër, njoftoi për diskutime për “rrugën përpara” në procesin e dialogut.
BE-ja, megjithatë, akoma nuk e ka caktuar datën për takimin e radhës të kryenegociatorëve, përkundër paralajmërimit të emisarit të posaçëm se i raundi i ardhshëm në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve do të ndodhë gjatë muajit tetor, duke thënë se agjenda do të publikohet në kohën e duhur.
Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel kryenegociatorësh, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për ngërçin në procesin e dialogut.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënive në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, akoma nuk është zbatuar.
Kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beograd – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – kanë qëndruar më 17 shtator në Bruksel për një raund të ri negociatash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Lajçaku ka zhilluar takime biletarale me të dy delegacionet, por nuk ka arritur të realizojë një takim trelateral mes palëve.
© SYRI.net