Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Veljkoviq nga partia “Demokracia Serbe” u arrestuan më herët nga Policia e Kosovës, por u liruan pas intervistimit në stacionin policor. Sipas Policisë, Arsenijeviq dhe Veljkoviq penguan punëtorët të cilët ishin të kontraktuar për të pastruar grafite me mbishkrime nacionaliste, të tilla si “Severna Brigada”, që ndodhen në shesh afër urës Ibrit në Mitrovicë.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka ngritur shqetësime lidhur me veprimet e fundit të këtyre dy politikanëve, të cilët, sipas tij, janë të lidhur me shërbimin inteligjent serb BIA.
Musliu ka shtuar se këta dy janë të përfshirë në provokime të vazhdueshme dhe destabilizuese në veri të Kosovës.
“’Politikanët’ e sponsorizuar nga BIA në Kosovë, Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Veljkoviq nga subjekti politik “Demokracia Serbe”, vazhdojnë të jenë recidivistë në provokimin e incidenteve për të krijuar trazira fiktive në Kosovë. Këta dy persona, duke tentuar të krijojnë incidente destabilizuese në veri të Kosovës për të penguar integrimin e vendit, sulmuan punëtorët që ishin kontraktuar për rilyerjen dhe pastrimin e grafiteve raciste dhe nacionaliste antishqiptare”, ka shkruar Musliu
Musliu shton se këta persona, së bashku me Listën Serbe dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale serbe, janë të përfshirë në provokime të njëpasnjëshme kundër institucioneve të Kosovës..
“Këta dy persona, së bashku me Listën Srpska dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale serbe, kanë krijuar provokime të njëpasnjëshme kundër institucioneve të Kosovës. Këta janë të njëjtët persona që provokuan më parë kur serbët bllokuan dhunshëm ndërtesat komunale në veri të Kosovës gjatë protestave”, ka përfunduar Musliu.
© SYRI.net