Kryebashkiaku Erion Veliaj ka pranuar publikisht abuzimet apo vjedhjet miliona euroshe në Bashkinë e Tiranës. Të mërkurën, në një takim me të rinjtë, ai konfirmoi me gojën e vet se institucioni që ai drejton është i mbushur plot me hajdutë.
Sipas tij, për këtë arsye do të jetë një kompani britanike që do t’i kalojë në filtër të gjitha procedurat që kryhen nga ky institucion, që nga mënyra se si merren vendimet, si kontrollohen dhe deri te zbatimi i projekteve.
Njeriu, i cili fillimisht pas arrestimeve të SPAK-ut tha se drejtorët e tij ishin disa ish-zyrtarë, më pas tha se ishte vetëm një drejtor, sot e ka pranuar që ka qenë gjithë zinxhiri komandues i Bashkisë së Tiranës i përfshirë në aferat dhe skandalet korruptive.
Një pjesë e drejtorëve të Veliajt akuzohen për korrupsion, disave prej tyre po u hetohen edhe pasuritë. Sigurisht për dosjet famoze "5D" dhe inceneratorët.
Ka edhe dosje të tjera që Erion Veliaj mendon se janë mbyllur, ashtu siç ai i gatuan në tavolinat e pista politike të Tiranës. Por hetimet nga ana e SPAK-ut vazhdojnë, ka edhe të tjera afera dhe skandale që do të vijnë në vijim.
Ndërkohë sot Erion Veliaj e ka pranuar publikisht se bashkia e tij është një tufë me hajdutë, ku vidhen dhe shpërdorohen fondet publike. Ky është mesazhi i qartë që vjen nga ajo që bëri vetë Veliaj publike, duke thënë se një kompani angleze do të skanojë tenderët dhe procedurat që kryen në Bashkinë e Tiranës.
Ky është një skandal tjetër brenda skandalit, pasi qytetarët paguajnë taksa dhe Erion Veliaj e pranon që ato vidhen. Nuk ka asnjë arsye tjetër pse duhet të vinte një kompani e huaj t'i skanonte punët në bashki dhe për më tepër duhet ta paguajmë këtë kompani. Pasi jo vetëm paguajmë taksa dhe vidhen këto taksa, tani duhet të paguajmë edhe një kompani të huaj që të kontrollojë dhe të vërtetojë si vidhen këto taksa që paguajnë qytetarët shqiptarë.
Ky është një nga rastet më flagrante, më të turpshme në historinë e 34 viteve tranzicion në Shqipëri, ku një institucion kërkon që t'i kontrollojnë mënyrat e prokurimeve, tenderët apo si i shpenzon të ardhurat që ka.
Lindin pyetjet: Për çfarë duhen strukturat e tjera në Bashkinë e Tiranës? Për çfarë është ky auditi i brendshëm i institucionit? Si mundet të auditojë një institucion i huaj kur në fakt në Shqipëri ekziston ky institucion? Është Kontrolli i Lartë i Shtetit, por ekziston edhe një strukturë tjetër është ajo e atashuar pranë kryeministrit. Ku shkojnë këto struktura?
Pra, Erion Veliaj nuk pranon që të auditohet nga KLSH-ja, nuk pranon si të vërteta hetimet që bën SPAK-u. Ai nuk pranon punën e vetë zyrtarëve në Bashkinë e Tiranës, pasi konfirmon se ata janë hajdutë, por thekson që duhet të marrë një kompani angleze, ta paguajë këtë të fundit që të kontrollojë hajdutët e tij./CNA
© SYRI.net