Nga Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Trepçës është kërkuar që të bëhet një zgjidhje afatgjate për daljen nga kriza në mënyrë që minatorët të kthehen në vendin e punës të qetë dhe pa brenga.
Këtë kërkesë e ka pasur sot edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës teksa kanë takuar Këshillin Grevist të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.
Në komunikatën e bërë për media thuhet se gjatë takimit u njoftuan më për së afërmi me gjendjen e përgjithshme të grevistëve pas 27 ditëve në grevë të cilëve FSSHK ju ofroi ndihmë dhe mbështetje morale, duke i përkrahur kërkesat dhe veprimet e tyre.
“Për FSSHK është e papranueshme dhe e pa tolerueshme situata me kushtet e punës së Minatorëve, me mjetet themelore të punës me afat të skaduar dhe pa pajisje personale adekuate për punë. E drejta në pagë është e garantuar me Kushtetutë dhe Ligjin e Punës, mos pagesa e Minatorëve për dy muaj rresht nuk ka asnjë justifikim, përpos mungesë e menaxhimit dhe funksionimit nga ana e menaxhmentit të Trepçës”, vijon njoftimi.
FSSHK kërkon nga Qeveria dhe menaxhmenti i Trepçës që të gjinden një zgjidhje afatgjate për daljen nga kriza në mënyrë që Minatorët të kthehen në vendin e punës të qetë dhe pa brenga.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre. Pagat e muajit qershori dhe korrik ende nuk janë ekzekutuar për punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Të mërkurën, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, mbajti takim me grevistët dhe diskutuar për zhvillimet brenda ndërmarrjes duke bërë thirrje për ekzekutimin e pagave.
Bordi i kësaj ndërmarrje përmes një komunikate për media, të martën më 30.07.2024, thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërkaq, Qeveria e Kovës tha se janë duke e trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A, duke theksuar se përkrahja financiare për këtë ndërmarrje “varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.
“Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, u tha në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
E, menjëherë pas deklaratës së Qeverisë, ka ardhur reagimi i Sindikatës së Minatorëve, të cilët kanë thënë se nuk janë ata që duhet dhënë llogari për menaxhim dhe financa të ndërmarrjes, pasi siç thonë e kanë dëshmuar me punë, dhe se përgjegjësi duhet të jap menaxhmenti dhe bordi.
“Duke pas parasysh gjendjen ne te cilen ndodhemi minatoret gjithmone kane qene dhe jane te gatshem per llogaridhenie, por se pari nuk jemi ne minatoret ata te cilet duhet te japim llogari per menxhimin dhe financat e ndermarrjes. Minatoret e kane deshmuar me pune dhe perkushtim obligimin qe e kane pasur, pra prodhimin sa me te larte edhe pse ne pa kushtet elementare per pune sic eshte siguria ne pune qe cdo here kemi qene te rrezikuar. Ata te cilet duhet te japin llogari ne vije te pare eshte menxhmenti dhe bordi te cilet gjithmone I ka emruar Qeveria, pra aty eshte vendi ku duhet kerkuar pergjegjesia dhe llogaridhenia”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas minatorëve është koha që qeveria të reflektojë, pasi pakënaqësitë ua kanë shfaq me greva e ngujim në miniera, pasi siç thonë po kërkojnë diçka legjitime, pagën e tyre.
“Si pergjigjien me te mire nese nuk e dini jua ka dhene Zyra Kombetare e Auditimit qe ne ndermarrjen Trepca SH.A ka pasur keqmenaxhim ne te gjitha pikat e auditimit. Mjaft me eshte koha qe te reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatore ju kemi paralajmruar shume kohe me pare, paknaqesine tone jemi munduar tua shfaqim edhe me ngujimin ne miniere e me greva , por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kerkuar diqka jo legjitime, po e kerkojme shpagimin e mundit tone, pra pagen qe buron nga Ligji I Punes”, thuhet mes tjerash. “Mos i denoni minatorët, kerkoni llogaridhnje nga ata qe keq menagjuan”, vazhdon tutje reagimi i tyre.
Në një reagim të mëhershëm, të hënën e 29 korrikut, nga Sindikata thanë se interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga Qeveria dhe Bordi i Ndërmarrjes, janë në nivelin zero, teksa janë shprehur se ata kanë vetëm fjalë boshe.
“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagen e muajit Qershor! Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepca SH.A., janë vetem fjalë boshe dhe asgje tjeter”, thuhej në reagim.
© SYRI.net