Lista e subvencioneve për kulturë në Prishtinë: Anonimët përfitojnë, artistët eminentë jashtë

Lista e subvencioneve për kulturë në Prishtinë: Anonimët përfitojnë, artistët eminentë jashtë

16:39, 03/08/2024
Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së Kulturës ka publikuar së fundmi listën e përfituesve të subvencioneve për kulturën në fusha të ndryshme, duke përfshirë Festivale, Muzikë, Manifestime, Kinematografi dhe Teatër. Deri sa qëllimi i këtyre subvencioneve është të mbështesin zhvillimin kulturor të kryeqytetit, lista e shpallur lë shumë hapësirë për diskutime, pasi disa prej artistëve të njohur janë lënë jashtë dhe janë favorizuar emra më pak të njohur. Po ashtu, janë ndarë fonde për projekte që nuk përputhen drejtpërdrejtë me thirrjen fillestare për kulturë.

Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, ka publikuar listën e përfituesve të subvencioneve në thirrjen për kulturë, në fushat: Festivale, Muzikë, Manifestime, Kinematografi dhe Teatër. Demokracia.com ka parë se kjo listë përmban favorizime nga njëra anë dhe diskriminime nga ana tjetër sa i përket përfituesve.

Bazuar në listën që e ka parë Demokracia.com, për subvencione kanë aplikuar 217 subjekte. Nga këta, 107 nuk kanë përfituar asnjë subvencion, ndërsa 110 kanë përfituar. Shuma më e vogël e përfitimit është 1,000 euro, ndërsa më e madhja është 9,000 euro.

Disa prej këngëtarëve të njohur, të cilët kanë kërkuar të mbajnë koncerte live në Prishtinë, si Vesa Luma, Rona Nishliu dhe Jehona Sopi, nuk janë përfitues. Ndërsa, shumë prej atyre që kanë fituar janë ‘anonimë’.

Ndërsa, shumë prej atyre që kanë fituar janë ‘anonimë’.

Komuna ka parashikuar të subvencionojë “Beer Fest 2024” me 3,500 euro dhe “Beer and Wine Festival” me 3,000 euro, ndonëse të dyja këto evente inkasojnë të hyra pasi hyrja në to është me pagesë dhe realizohen në tokë komunale.

 

Por, Drejtoria e Kulturës nuk ka pasur mjete të jap për një film dokumentar. Bëhet fjalë për filmin dokumentar të Nuhi Bytyqit, me temë mbi masakrat serbe në Komunën e Prishtinës.

Komuna ka subvencionuar edhe asociacione e shoqata që janë jashtë thirrjes së saj. Pra, thirrja ka qenë për kulturë, në fushat: Festivale, Muzikë, Manifestime, Kinematografi dhe Teatër. Ndërkohë, në listë gjenden edhe emrat e të subvencionuarve si “Astronomy Club of Kosova” me projektin “Udhëtimi drejt yjeve – Ri-hapja e Observatorit të Prishtinës me ndihmën e Kryeqytetit Prishtina”, me një shumë prej 4,000 euro dhe “Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK)” me temën KosICT 2024, në një shumë prej 5,000 euro. Po ashtu, Sunaj Raca me temën “Legjendat e Sportit Kosovar” ka përfituar një shumë prej 1,000 euro.

“Të gjitha palët e pakënaqura me listën finale të lartcekur nga Kultura, në fushat si: Festivale, Muzikë, Manifestime, Kinematografi dhe Teatër, mund të ushtrojnë ankesë në komisionin për shqyrtimin e ankesave për subvencione, në Drejtorinë e Kulturës, brenda një afati prej 5 (pesë) ditë pune, nga data e publikimit të kësaj liste finale në tabelën e shpalljeve të Komunës dhe në ueb-faqen e Komunës. Afati i fundit për ushtrimin e ankesave është deri më 07.08.2024. Ankesat dorëzohen me shkrim për komisionin e ankesave, përmes zyrës për shërbim me qytetarë, në sportelin nr. 05”, thuhet në fund të listës së subvencioneve në kulturë. Lista e plotë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco