Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), duhet të sigurojë vetë materialin e nevojshëm nga jashtë pasi nuk e prodhon vetë për aparaturën PET/CT – e cila përdoret për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme.
Një material i tillë kërkon transport të shpejt dhe efikas.
QKUK-ja ka rreth një muaj prejse e ka siguruar këtë pajisje e cila ka kosto prej mijëra euro e që deri tani pacientët është dashur t’i paguajnë në institucione private ose jashtë vendit shërbimet për të.
Shërbime me PET/CT mund të marrin rreth pesë pacientë në javë, ndërsa lista e pritjes tashmë ka arritur deri në fund të gushtit sipas raportimit të Radio Evropës së Lirë.
Drejtori i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakir Spahiu, ka treguar se materiali shpenzues për PET/CT, që përfshin izotopin radioaktiv, Flourine 18, sigurohet nga Turqia.
“Prodhuesi na furnizon një herë në javë. Kështu do të jetë për tre muaj, pastaj do ta rishqyrtojmë planin”, deklaroi ai.
Duke thënë se “sjellja në Kosovë e Flourine 18, është sfidë në vete marrë parasysh se jetëgjatësia e kësaj substance është e shkurtër”.
Pajisja PET/CT ishte funksionalizuar në muajin maj në QKUK, ndërsa e njëjta iu kishte dhënë këtij institucioni shëndetësor falë angazhimit të ish presidentes, Atifete Jahjaga, e cila kishte arritur t’i sigurojë donatorët për ta sjellur këtë pajisje në Kosovë.
Deri tani Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, kishte paguar qindra mijëra për shërbimin e PET-CT-së për pacientët në klinikat private brenda dhe jashtë Kosovës.
Në shumë prej klinikave të Qendrës Klinikë Unviersitare të Kosovës, pacientët duhet të enden për shkak të prishjes së aparaturave.
Në disa të tjera aparaturat janë moderne dhe funksionale, por nuk ka kush të operojë me to.
© SYRI.net