As marrëveshja e nënshkruar në Bruksel para më shumë se një viti, nuk e ka detyruar Serbinë të tregojë lokacionet e varrezave masive ku dyshohet se fshihen trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri kosovar Albin Kurti, edhe njëherë ka përsëritur kërkesën ndaj Serbisë që t’i hapë arkivat për të zbardhur çështjen e të zhdukurve me dhunë.
Kurti, këtë e ka bërë përmes një postimi në Facebook të mërkurën, kur janë bërë 10 vjet që kur Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila konsiderohet përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës.
“Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë. Ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi”, ka thënë Kurti.
Këshilli i Familjeve të të Zhdukurve kërkon që për këtë çështje, Bashkimi Evropian të shtojë presionin ndaj shtetit serb.
“Këto janë lojëra të Bashkimit Evropian dhe Bashkësisë ndërkombëtare që nuk e bëjnë një presion më të madh edhe më me sinqeritet që të kushtëzohet Serbia që të hapen arkivat jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën dhe Kroacinë”, ka deklaruar Ahmet Grajqevci- Kryetar i KKZHK-së .
Grajqevci shton se familjet e personave të zhdukur janë të zhgënjyer, sepse tash e më shumë se dy dekada presin që të ketë një lajm për familjarët e tyre.
“Deri në vitin 2020 kanë pasur një lloj shprese se do të bëhet një zgjidhje por duke parë se procesi humanitar për çështjen e personave të zhdukur është bërë problem politik ka marrë kahje tjetër, dhe cdo gjë te familjarët çdo shpresë ka ra, dhe ka hy si problem politik çështja e personave të zhdukur”, ka deklaruar ai.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova e Serbia më 2 maj të 2023, dakorduan përmbajtjen e deklaratës për persona të zhdukur gjatë luftës.
Ajo parasheh që palët të sigurojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
Nga lufta e fundit në Kosovë, mbi 1600 persona figurojnë akoma të zhdukur.
© SYRI.net