Këto komente, Nagavci i ka bërë në një prononcim për “EkonomiaOnline”, duke folur për paralajmërimet e Jasharit se mësimdhënësit nga 1 shtatori mund të futen në grevë.
“Jam përmbajtur nga deklaratat e pamatura të Jasharajt, sepse konsideroj që është e rëndësishme që të gjithë bashkërisht të punojnë në mënyrë që të ofrojmë më të mirën për fëmijët tanë”, tha Nagavci.
Ministrja ka pretenduar se Kryetari i SBASHK-ut po ndikohet nga akterët politikë opozitarë.
“Duke filluar prej deklaratave të tij, pas takimit me (Ramush) Haradinajn, ku thotë që mënyra e shpërndarjes së teksteve, është njëra ndër arsyet – pra ai e përmend si arsye për grevë, është jo vetëm se e pakuptueshme, por në fakt e shpërfaq edhe atë se nga kush po ndikohen, sepse të gjitha raportimet nga shkollat, nga mësimdhënësit, nga drejtorët janë që kjo mënyrë e subvencionimit e teksteve është një lehtësim për shkollat”, pretendoi.
Për Jasharajn, Nagavci pati edhe një kërkesë.
“I bëj thirrje publike që për çështjet që janë në të mirën e arsimit, përfshirë edhe gjithë mbështetjen për mësimdhënësit, na ka partnerë e bashkëpunëtorë pa asnjë dilemë. Për humbje kohe, për adresim të agjendave politike, përkundër që ndoshta mund të merreshim, nuk kemi kohë as vullnet”, shtoi.
Para disa ditëve, kreu i SBASHK-ut ka paralajmëruar se nga 1 shtatori, i gjithë sistemi arsimor në vend mund të futet në grevë.
Kjo për shkak se, siç kanë përfaqësues të kësaj sindikate, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, s’po i merr për bazë kërkesat e tyre tash e dy vite.
Nga SBASHK-u thanë se si pasojë e mungesës së dialogut me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, viti i ri shkollor rrezikon të mos fillojë me 1 shtator.
“Sindikata e Arsimit ka pritur që Qeveria, Kurti, dhe në veçanti ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të marrin mësim nga greva e tmerrshme e vitit 2022. Por, fatkeqësisht nga ajo kohë ata kanë vazhduar me qasjen e njëjtë të gabuar ndaj dialogut me sindikatat. Dhe, nuk kam pse ta fsheh, që një grevë në muajin shtator është e mundshme të ndodhë. Kjo pasi gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat nga anëtarësia që të kemi veprime sindikale në shtator”, ka thënë Jasharaj për “Radio Kosova”.
Ai deklaroi së më 1 maj, përmes një proteste, kjo sindikatë i ka bërë të qarta kërkesat e tyre, e që njëra ndër to është ngritja e koeficientit.
“Ne publikisht me datë 1 maj përmes një proteste i kemi bërë publike kërkesat tona para Qeverisë. Njëra ndër to është rritja e koeficientit, pasi vite më parë krahasuar me vendet e rajonit krenoheshim me pagat tona e tani jemi me pagat më të ulëta”, shtoi.
Përveç kësaj, Jasharaj ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për platformën e re të furnizimit me libra përmes subvencionimit të prindërve të cilën e quajti “të dështuar”.
© SYRI.net