Osmani takohet me Kaja Kallas, Kryediplomaten në ardhje të Bashkimit Evropian

Osmani takohet me Kaja Kallas, Kryediplomaten në ardhje të Bashkimit Evropian

20:07, 19/07/2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Kaja Kallas, kryeministren e dorëhequr të Estonisë, e cila së shpejti do të marrë detyrën e Kryediplomates së Bashkimit Evropian, në vend të Josep Borrell. Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Osmani ka thënë se paqja dhe siguria e Evropës kërkojnë lidership të fuqishëm dhe të gatshëm, e që sipas saj, Kallas këtë e ka demonstruar në mënyrë të jashtëzakonshme.

“Gjithmonë kënaqësi biseda me kryeministren Kaja Kallas, këtë herë përgjatë Samitit EPC. Paqja dhe siguria e kontinentit evropian kërkojnë lidership të fuqishëm dhe të gatshëm, gjë që Kallas e ka demonstruar në mënyrë të jashtëzakonshme”, ka shkruar Osmani.

Kallas dha dorëheqje para katër ditësh si kryeministre për të marrë pozitën e Shefes së Politikës së Jashtme në BE.

Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco