Bislimi: Serbia s’ka pasur kurrë propozime, vendet anëtare të BE-së janë manipuluar për këtë

Bislimi: Serbia s’ka pasur kurrë propozime, vendet anëtare të BE-së janë manipuluar për këtë

18:13, 19/07/2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë manipuluar me qëndrimin se Serbia ka ofruar propozime për planin e sekuencimit të Marrëveshjeve Bazë dhe të Ohrit.

Bislimi ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjëherë propozime.

Sipas tij, në takimin e fundit që ka pasur me Petar Petkoviqin në Bruksel, Kosova ka kërkuar nga ndërmjetësi, emisari Miroslav Lajçak, që me palët t’i ndajë propozimet e palës tjetër.

“Të na tregojë neve se cilat kanë qenë propozimet e deritashme të Serbisë dhe e kemi lejen tonë që propozimet tona t’i ndajë me Serbinë, me idenë që të shohim se a ka pas propozime nga Serbia sepse edhe vendet anëtare janë manipuluar duke thënë se ka pasur propozime nga Serbia dhe e dyta të shohim se sa janë larg qëndrimet tona”.

“Vetëm atëherë kur i kemi  ne propozimet e Serbisë dhe Serbia propozimet tona do të mund ta dimë se a është versioni i 10-të versioni i fundit apo do të kemi edhe versionin e 27-të. Duhet të dimë se ku qëndrojmë për me ditë pak a shumë se çka na pret në takimin e radhës në Bruksel por kjo nuk është mbështetur e unë e ka pak a shumë se pse nuk është mbështetur. Ideja është që të mbulohet fakti që Serbia asnjëherë nuk ka dërgu propozime”, ka thënë ai në KTV.

Bislimi ka thënë se pa u ditur propozimet e Serbisë mund të ketë edhe takime të tjera e propozime të reja. Ai ka thënë se qëndrimi i Serbisë lidhet vetëm me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi ka konfirmuar se Kosova ka dërguar tashmë propozimet e veta në lidhje me draftin e dhjetë të planit të sekuencimit të ndërmjetësit. Ai ka thënë se bëhet fjalë për dokument shtatëfaqësh të dërguar nga Kosova.

Në takimet në Bruksel, sipas Bislimit, Kosova në vazhdimësi ka bërë thirrje për tri siguresa. Këto lidhen me formalizim të marrëveshjes – që ajo të nënshkruhet, që të ketë tërheqje të letrës refuzuese të marrëveshjes nga ana e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq apo që BE-ja ta refuzojë shkrimin si të pavlerë, dhe e treta që të mos ketë interferencë në punët e brendshme e të dorëzohet kryekrimineli Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist tek institucionet e Kosovës.

Bislimi ka kritikuar ndërmjetësin Lajçak, duke thënë se ai ka bërë shkelje të disa parimeve “për të cilat jemi dakorduar që para fillimit të versionit të parë të drafteve të sekuencimit”.

“Për shembull aty parim kryesor ka qenë që palët duhet në mënyrë simultane të bëjnë diçka në zbatimin e marrëveshjes në mënyrë që të mos jetë vetëm njëra palë ajo që kryen obligimet e saj dhe pala tjetër përfituese dhe për shembull te një pikë ku thuhet pala kosovare e pranon draftin e statutit si kundërshpërblim apo nga Serbia z. Lajcak ka vendos që edhe pala e Serbisë e pranon draft-statutin që ka qenë e palogjikshme”.

“Ne kemi thënë që kjo duhet të largohet për arsye se as nuk i dihet dialogut as nuk përbën kurrfarë përfitimi për Kosovën, por duhet të vendosen me ato elemente të cilat janë të parapara në marrëveshje, siç janë njohja e simboleve nacionale, pasaportave dhe të gjitha dokumenteve të tjera”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë po ashtu se ka pasur devijime nga parimet e marrëveshjes për dokumentet dhe se “ka pasur tendencë të Lajçakut që në vazhdimësi të zbehet ose të zhvendoset në listë të obligimeve, obligimi i Serbisë për ta respektuar pikën e katërt të marrëveshjes që ka të bëjë me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Sipas tij, në dokumentin e dorëzuar një ditë më parë, Qeveria ka thënë se “ka narrativë të gabuar dhe gabim të qëllimshëm të prezantimit të zhvillimeve rreth zbatimit të marrëveshjes bazike nga ana e Brukselit”.

“Për arsye se ka tendencë që të thuhet se asnjëra nga palët nuk është e interesuar dhe nuk ka filluar zbatimin e marrëveshjes duke prezantuar segmente të dokumenteve të mëparshme, për shembull versionin e datës 4 prill dhe 26 prill”.

“Ne kemi demantuar këtë konstatim dhe kemi kërkuar nga z. Lajçak që të dalë me të vetmin konstatim të logjikshëm që thotë: pala kosovare ka kryer një pjesë të obligimeve të saj mirëpo pala e Serbisë kësaj përmbushje të obligimeve nga ana e Kosovës i është përgjigjur me shkelje të marrëveshjes jo me kryerjen e obligimeve nga ana e saj”, ka thënë tutje Bislimi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco