Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka kërkuar nga Serbia që të konfirmojnë identitetin e shtetasit kosovar të vrarë këtë të premte.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga Autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Dukagjinin.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës në Vushtrri.
Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb.
Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani.
Artan Hajrizi: Para dy dite, Fatoni erdhi në Gjermani, u grinda me të, i thashë do ta thërras policinë
Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.
Daçiq, ka deklaruar se pretendimet për një deklaratë të Artan Hajrizit, ku thuhet se vëllai i tij i kishte marrë dokumentet, janë të rreme.
Daçiq ka theksuar se nëse vëllai i tij ishte në Gjermani, nuk kishte arsye të kthehej në Preshevë.
© SYRI.net