Mbi 2000 shqiptarë të burgosur në Itali, 21 janë gra

Mbi 2000 shqiptarë të burgosur në Itali, 21 janë gra

13:24, 18/07/2024

Nga Alba Kepi/

Rritet numri i vetëvrasjeve në burgjet italiane, mes tyre dhe shqiptarë.

Mbipopullim, dhunë e revolta të të burgosurve ka shtyrë Ministrin e Drejtësisë Carlo Nordio të kërkoj vendosjen e një Komisioneri të jashtëzakonshëm.

Detyra e tij do të jetë hartimi i një plani kombëtar që të shtojë numrin e burgjeve, të reduktojë problematikat e mbipopullimit në to e të mungesës së personelit si dhe mundësitë përmes marrëveshjeve të përbashkëta mes vendeve për riatdhesimin e të burgosurve të huaj.

Ministria Italiane e Drejtësisë ka publikuar raportin e fundit mbi numrin e të burgosurve të huaj në sistemin penintenciar italian me të dhëna të përditësuara deri më 30 qershor 2024.

2029 të burgosur shqiptarë vuajnë dënimin ndaj drejtësisë italiane e 21 prej tyre janë gra.

Shqiptarët në burgjet italiane përbëjnë 10.5 % të numrit të përgjithshëm të të burgosurve të huaj që janë mbi 19 mijë.

Të burgosurit shqiptarë renditen të katërt në numër pas atyre marokenë, tunizianë, e rumunë.

Numri më i lartë i të burgosurve shqiptarë ndodhet në rajonin e Lombardisë, ku vuajnë dënimin 383 prej tyre, në Emilia Romagna me 218 të burgosur shqiptarë e Piemonte me 202.

Mbipopullimi i burgjeve, mangësitë e personelit në sistemin peninteciarë, rritja e numrit të vetëvrasjeve në to, janë problematikat që gjatë orëve të fundit kanë ndezur debatin politik e publik italian.

Sindikatat e policisë së burgjeve me një notë zyrtare kanë përcjellë alarmin se "sistemi peninteciarë në Itali nuk është i aftë të kryej misionin e tij, t'i rikthejë shoqërisë persona të rikuperuar".

"Episodet e dhunshme brenda burgjeve, revoltat e të burgosurve janë bërë të zakonshme, mbipopullimi e kushtet e papërshtatshme të qelive që shkelin normativën Europiane, mangësia e numrit të personelit e asistentëve socialë, janë prova që dëshmojnë se ky sistem është në rrezik e se politika ka harruar burgjet e problematikat në to", lexohet ne komunikatat informuese të Policisë së burgjeve.

Prej fillimi të vitit 2024 deri më sot janë sinjalizuar një numër si kurrë më parë i të personave të vetëvrarë në to; 57 të burgosur e 6 punonjës burgjesh.

122 është numri i të burgosurve që kanë ndërruar jetë në këto gjashtë muaj të parë të 2024.

Mes burgosurve të vetëvrarë ka dhe shqiptarë.

"Është një masakër e vërtetë", thotë për gazetaren Alba Kepi, Aldo di Giacamo,  Sekretari i përgjithshëm i Policisë Penintenciare SPP.

"Është një verë e pafundme me vetëvrasje e në 6 muajt e fundit 17 raste vdekjesh të të burgosurve janë në hetim për të zbardhur motivet".

Mbi situatën në burgjet italiane, Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio është thirrur në një dëgjesë në Parlamentin Italian ku ka referuar evidencën e këtyre problematikave.

"Rreth gjysma e të burgosurve në burgjet italiane janë të huaj e emërimi i një Komisioneri të jashtëzakonshëm do të ketë detyrën të zgjidh problematikat e rënda që po kalon aktualisht sistemi peninteciarë" u shpreh ai.

Deputetja e Partisë Demokratike Deborah Serracini në replikën e saj përcolli shqetësimin se në burgjet italiane është rritur dhe numri i të burgosurve minorenë, e si kurrë më parë ka ndodhur si dhe i nënave me fëmijë të mitur.

Raportimi i Ministrit të Drejtësisë Italiane:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco