Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë (emër i njohur për redaksinë), i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se temperaturat brenda ambienteve të punës, në Pallatin e Drejtësisë, janë tejet të larta, gjë që po shkakton mungesë të oksigjenit dhe po vështirëson përditshmërinë e tyre në këto ditë të nxehta.
Ani pse vitin e kaluar ishte përmendur se ka nisur hapja e dritareve, ky shqetësim po vazhdon edhe këtë vit.
Se temperaturat janë të larta në sallat e gjykimit të objektit të Gjykatës së Prishtinës, e konfirmoi edhe vetë Gjykata në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, por që sipas tyre puna po vazhdon normalisht dhe seancat gjyqësore po mbahen.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate, në përgjigjen e dhënë për mediumin ka thënë se janë duke respektuar vendimin e lëshuar nga Ministria së Shëndetësisë javën e kaluar, ku gratë shtatzëna si dhe zyrtarët me sëmundje kronike po punojnë me orar të shkurtuar.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përkundër temperaturave të larta që janë duke mbizotruar në sallat e gjykimit të objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojmë se nuk është anuluar asnjë seancë gjyqësore për shkak të temperaturve të larta. Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë është duke zbatuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë me Nr:151/VII/2024 të datës 12.07.2024, që për shkak të temperaturave të larta lirohen gratë shtatzëna nga puna dhe zyrtarët me sëmundje kronike të punojnë vetëm nga 4 orë në ditë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Reporteri.net.
Problemi me temperaturat e larta, përkatësisht sistemin e ajrimit në Pallatin e Drejtësisë ka disa vite. Vitin e kaluar dhjetëra punëtorë u alivanosen si pasojë e mungesës së oksigjenit në zyrat dhe sallat e këtij objekti i cili ndodhet në Hajvali.
Madje, për këtë problem, punëtorët e Gjykatës dhe Prokurorisë patën mbajtur edhe grevë, me kërkesën që të rregullohej sistemi ajrimit, ose i hapjes së dritareve të këtij objekti.
Në Pallatin e Drejtësisë janë të vendosura të gjitha institucionet që merren me sundim të ligjit, përfshirë këtu edhe gjykatat, të cilat janë të shpërndara nëpër qytet, dhe se ky objekt është bashkëfinancim nga Komisioni Evropian.
© SYRI.net