“27 lule nga të cilët rritet liria jonë”, Kurti bën homazhe për të vrarët në masakrën e Tusuzit

“27 lule nga të cilët rritet liria jonë”, Kurti bën homazhe për të vrarët në masakrën e Tusuzit

16:26, 26/05/2024

Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e së dielës bëri homazhe në qytetin e Prizrenit, për të vrarët në masakrën e Tusuzit.

Ai vendosi kurora me lule te varret e të vrarëve, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.

“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti.

“27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, shtoi shefi i qeverisë.

Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.

Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.

Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, Kurti shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq, tha Zyra e Kryeministrit në një kumtesë.

Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi ata që mungojnë tash e 25 vite.

Kryeministri tha se drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco