Opozita e ndarë, PDK: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

Opozita e ndarë, PDK: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

14:43, 24/05/2024

Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur se 30 maji është dita e fundit, kur sipas tyre Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Këtë e ka thënë edhe sot, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas dështimit të seancës ku do të diskutohej për tri vjet qeverisje të Kurtit.

Tahiri u bëri sërish thirrje subjekteve të tjera opozitare që t’i përgjigjen kërkesës së PDK-së për shpërndarje të Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ai tha edhe lëvizja e fundit e kryeministrit çon në këtë drejtim.

“Sot PDK i është përgjigju pozitivisht ftesës për debat që në fund do të kurorëzohej me një rezolutë që i bën thirrje qeverisë të dorëhiqet. E kemi theksuar që PDK do ta votojë këtë nismë.
I bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha subjekteve politike që të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së për hapjen rrugë të zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit. Duhet lexuar drejt edhe lëvizja e kryeministrit të Kosovës. Fakti që i ka hapë rrugë shpërndarjes së Kuvendit, tregon se tashmë ai po u hapë rrugë zgjedhjeve të reja dhe krijimit të një qeverie të re, ku Kosova do ta ketë një kryeministër të ri. Më e rëndësishme sesa mënyra se si do të shkojmë në zgjedhje janë zgjedhjet në vetvete dhe krijimi i një qeverie të re. Ajo e nxjerr Kosovën nga sanksionet, nga gjendja e rëndë ekonomiku ku ndodhet dhe kolapsi në shumë sektorë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se 30 maji duhet të jetë dita kur të arrihet koordinimi me partitë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Bisedimet siç tha ai intensive në këtë drejtim, do të vazhdojnë.

“Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv, kemi qenë edhe më herët dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë koordinim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë Tahiri.

Kujtojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte paralajmëruar në seancën e sotme, një projekt-rezolutë përmes së cilës do të kërkonte dorëheqjen e Kurtit dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Partitë opozitare kanë kritikuar qeverisjen e Kurtit në këto tri vite duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por PDK, LDK dhe AAK nuk po pajtohen për mënyrën se si do të ndodhë kjo.
Derisa Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që Kuvendi të shpërndahet, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkesë tjetër, atë të dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco