“Alarmante, nevojitet një ndryshim”, reagimet e ndërkombëtarëve në Kosovë pas regresit prej 19 vendesh në lirinë e medias  Reporteri

“Alarmante, nevojitet një ndryshim”, reagimet e ndërkombëtarëve në Kosovë pas regresit prej 19 vendesh në lirinë e medias Reporteri

10:55, 04/05/2024

Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Regresi prej 19 vendesh në lirinë e medias në Kosovë ngjalli shumë reagime edhe nga ndërkombëtarët në vendin tonë.

Ambasada amerikane në Kosovë, përmes një shkrimi në Facebook, deklaroi se një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë dhe mban udhëheqësit e vendit përgjegjës.
“Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë – atë që e mban publikun të informuar, mundëson një shumëllojshmëri zërash dhe i mban përgjegjës udhëheqësit”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, dje në Ditën e Lirisë Ndërkombëtare të Shtypit vizitoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me çrast theksoi rolin vendimtar të mediave të lira dhe të pavarura në aftësimin e publikut për të marrë vendime dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet.

Ai theksoi “imperativin e heqjes së barrierave që mund të pengojnë lirinë e medias dhe shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të sulmeve fizike, kërcënimeve, fushatave të njollosjeve publike dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar gazetarëve, veçanërisht gjatë raportimit të vitit 2023 nga veriu i Kosovës”.

Në njoftimin e Zyrës së BE-së për këtë takim thuhet se bashkëbiseduesit folën edhe për rëndësinë e verifikimit të fakteve në zbutjen e ndikimit negativ të dezinformatave dhe për projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin BE-ja po e ndjek me vëmendje.

Në fund, ambasadori i BE-së në Kosovë përgëzoi mbështetjen e Asociacionit për gazetarët ukrainas dhe afganë.

Për këtë rënie ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se edhe pse shtypi në Kosovë është më mirë nëse krahasohet me rajonin, radhitja e fundit tregon “rënie alarmante”.

“Mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohen, jo të kontrollohen. Në Kosovë, media ka një pozicion të mirë në krahasimin rajonal. Megjithatë, raporti i sapo publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante me 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet një ndryshim!”, ka shkruar ai në X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje përmes një postimi në Twitter për Ditën Ndërkombëtare për Lirinë e Mediave ka shkruar se qeveria e tij është e gatshme që të adresojë shqetësimet e mediave.

“Në ditën botërore të Lirisë së Mediave, ne duam të pranojmë përpjekjet që duhen për t’i dhënë dritë të vërtetës në periudhë të armatosjes së dezinformimit. Qeveria jonë është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e mediave dhe të punojë për peizazh më transparent dhe plural”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.


Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco