“Borrell i vendosi masa Kosovës pa një vendim të Këshillit Evropian, ndërsa tash kërkon konsensusin e 27-të vendeve anëtare”

“Borrell i vendosi masa Kosovës pa një vendim të Këshillit Evropian, ndërsa tash kërkon konsensusin e 27-të vendeve anëtare”

21:59, 02/03/2024

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, ka kritikuar Shefin e Diplomacisë së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në raport me masat ndëshkuese të vendosura Kosovës në qershor të vitit të kaluar.

Sipas tij është interesante fakti se Borrell vendosi masa Kosovës pa një vendim të Këshillit Evropian, ndërsa tash për heqjen e tyre kërkon konsensusin e 27 vendeve anëtare.

“Është interesante që Josep Borrell gjeti një mënyrë për të vendosur ‘masa të përkohshme dhe të kthyeshme’ kundër Qeverisë së Kosovës pa një vendim zyrtar nga Këshilli, megjithatë heqja e këtyre masave kërkon papritur një votim nga 27 shtetet anëtare”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media të enjten ka potencuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës hiqen kur për një gjë të tillë vendosin shtetet anëtare të bllokut evropian, e jo Qeveria e Kosovës.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Veri të vendit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco